Lista të hapura, sistem proporcional kombëtar, numërim dhe votim elektronik, si dhe vota e diasporës, janë katër propozimet e Partisë Demokratike zyrtare për reformën zgjedhore. Në një deklaratë për mediat pak para nisjes së mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, bashkëkryetari Enkelejd Alibeaj parashtroi propozimet e PD-së në lidhje me ndryshimet e kësaj reforme.
“E para është ajo që ka të bëjë me listat e hapura. Propozimi ynë e parashikon më mënyrë të qartë që edhe në sistemin ynë do të duhet të jetë me lista të hapura. Do të jenë shqiptarët ata që do të përzgjedhin se kë shqiptarët duan të votojnë. Kjo forcon atë që quhet vota e shqiptarëve.
Së dyti, propozimi ynë ka të bëjë me atë që duhet proporcional kombëtar që bazohet te barazia e votës. Vota e çdo shqiptari do të duhet të jetë e barabartë dhe të ketë të njëjtën peshë, teksa delegon përfaqësuesit e vet në parlament. Shqipëria një zonë është sistemi më i thjeshtë që e optimizon dhe garanton këtë barazi të votës.
Çështja e tretë ka të bëjë me votimin dhe numërimin elektronik. Shqipëria 2025 meriton që shqiptarët të votojnë në mënyrë të qartë, të shpejtë, pa gabime, pa rrezikun që vota e tyre të shpallet e pavlefshme si në 2021. Votimi dhe numërimi elektronik garanton nxjerrjen e rezultatit në një kohë shumë të shpejtë.
Çështja e katërt, është ajo që ka të bëjë me votën e diasporës. E dimë të gjithë që shumë shqiptarë janë detyruar të largohen. Është detyrim kushtetues. Kemi propozuar që çdo shqiptar që ndodhet jashtë territorit të republikës ka të drejtë të votojë. Është një instrument për t’i bërë të interesuar shqiptarët jashtë Shqipërisë që të kthehen dhe të marrin fatet e tyre në dorë.”
(A2 Televizion)