Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, i ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, foli për skenarët e mundshëm të protestës së opozitës të paralajmëruar për datën 20 shkurt.
Gjoni u shpreh se protesta pritet të jetë më e fuqishme se ato të mëparshmet dhe se po merren në konsideratë të gjitha variantet e veprimit, nga forma simbolike të rezistencës deri te përshkallëzimi i aksionit politik.
“Protesta e datës 20 shkurt do jetë protestë shumë më e fuqishme se sa protestat e para. Nga mënyra e skenarit, e strategjisë dhe gjithçka tjetër, do jetë komplet ndryshe sepse temperatura do vijë duke u ngritur dhe nuk thuhet kot… Mund të ndizet edhe zjarr Partizan. Mund të ndizen edhe zjarre. Skenarët nuk mund të shpjegohen. Të gjitha po të gjitha po merren në konsideratë. Por ama duhet të keni diçka parasysh edhe për gazetarët, por edhe për opinionin publik. Nuk mund të shkosh në ekstremin e një proteste në rast se nuk ke zgjidhje në fund”, tha Gjoni në Off The Record me Andrea Dangllin.
Sipas tij, protesta e 20 shkurtit pritet të jetë një moment i ri për aksionin opozitar dhe një përpjekje për të rritur presionin politik ndaj qeverisë, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
“Po patjetër që do ketë zgjidhje. Patjetër do ketë pra nuk do skenari i qëndrimit në shesh, do jetë edhe skenari i rrethimit të institucioneve, do jetë edhe skenari i futjes së deputetëve në grevë të urisë, të gjitha skenarët, por ama duhet që në radhë të parë kancelaritë perëndimore, opinioni publik shqiptar, por dhe opinion, masmedia e huaj të arrijë që të futet dhe të depërtojë në të gjitha kancelaritë botërore. për gjendjen e situatës. Në këtë lloj situate që është sot Shqipëria nuk ka qenë kurrë, në këtë lloj situate të nivelit të kriminalitetit, nivelit të korrupsionit, nivelit të kapjes së shtetit”, u shpreh ai në Off The Record me Andrea Dangllin.
Sipas Gjonit, ky është fillim i një serie protestash, ndërkohë që theksoi se Partia Demokratike është aty për të garantuar sigurinë e protestuesve dhe policëve, pasi nëse situatën do ta marrë në dorë vetë populli, atëherë sipas tij kryeministria "do mund të bëhej shkrumb".
(A2 Televizion)