Protesta e 20 shkurtit, Gent Gaba: Opozitës i duhet një “Bord Paqeje”

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2026, 23:06 | Politikë

Gentian Gaba, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, radhiti sfidat që ka opozita për t’u bërë e “shëndetshme”, siç e quajti ai.

“Opozitës i duhet një “Bord Paqeje” për së brendshmi sepse ende nuk janë marrë vesh. Duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët. Kanë edhe këtë sfidën e qëndrimeve koherente në raport me drejtësinë, qëndrimi që duhet të ketë në raport me ndërkombëtarët dhe sfida e fundit: reformimi i brendshëm”, tha Gaba.

Sipas tij, në PD “nuk duhet të ekzistojnë më këto qesëndisjet me vetëpërjashtime, ata që fitojnë primaret dalin të fundit dhe anasjellas…”.

“Pasi të bëhet ky nivelim, mund të flitet për shëndetin e opozitës në përgjithësi”, shtoi Gaba.

Në lidhje me protestën e 20 shkurtit, Gaba u shpreh: “Shumë mirë që bëhen protestat. Duhet të ketë protesta përditë sepse është e tmerrshme që kemi përballë një person që kur ndodhet në vështirësi sa i përket garës elektorale, ndryshon Kushtetutën në mënyrë të njëanshme; kur i shkon drejtësia te dera, ndryshon prapë Kushtetutën. Ky person nuk njeh limit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos