Vonesën e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, Sali Berisha e konsideron si marrje kohe nga mazhoranca për të prishur provat.
Para gazetarëve, lideri demokrat tha se qeveria është angazhuar me tre turne për të shkatërruar dhe manipuluar provat për dosjen Balluku, por edhe për AKSHI-n.
“Lubi Balluku dhe Edi Rama kanë mobilizuar grupe të tëra me të cilat shkatërrojnë, falsifikojnë, manipulojnë dokumente si në dikasteret dhe agjencitë në varësi të Lubisë, ashtu dhe në AKSHI-n e familjes Rama”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Mbledhjen e Këshillit të Mandateve pa praninë e mazhorancës Berisha e quan të vlefshme, duke thënë se tashmë Belinda Balluku është pa imunitet, shkruan A2 CNN.
“Përpjekja që bën Edi Rama me Lubi Ballukun për të bllokuar procesin e drejtësisë përbën një krim permanent, krim në vazhdim për të dy ata. Sot, de facto, Këshilli i Mandateve i hoqi mandatin Lubi Ballukut. Mbledhja është plotësisht valide. Do të bëhet përgjegjës para ligjit dhe Kushtetutës për çdo pengesë që do sjellë Niko Peleshi”, theksoi Berisha, raporton A2 CNN.
Aksionin opozitar kundër mazhorancës, lideri demokrat kërkon ta maksimalizojë duke ftuar sërish të gjitha partitë që të bëhen bashkë.
“Ne mendojmë se është koha për të krijuar një front të gjerë opozitar, në mënyrë që me shkallën më të lartë të përgjegjësisë, forcat politike opozitare të qëndrojnë në lartësinë e kërkesës së kësaj kohe, të bashkërendojnë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë goditjen përfundimtare narko-regjimit të Edi Ramës”.
Paralajmëroi se shumë shpejt do të thërrasë protestë kombëtare, duke vendosur afat 20 Shkurtin, por shtoi se ende nuk ka një datë të saktë se kur demokratët do të jenë përballë zyrës së Edi Ramës. (A2 Televizion)