Në ambientet e selisë së Partisë Socialiste ka nisur këtë të premte nga ora 09:00, shkolla verore e socialistëve.
A2 CNN mëson se lektori i parë para 39 deputetëve të rinj socialistë, të dalë fitues nga procesi zgjedhor i 11 majit, do të jetë një “xhaketë e vjetër” e PS, si Fatmir Xhafaj.
Deputetët e rinj të mazhorancës do të duhet të shtyjnë kështu pushimet, pasi fillimisht do të marrin pjesë në shkollën verore të “Akademisë Politike”, që do të zgjasë një muaj, nga sot deri më 20 korrik, shkruan A2 CNN.
Lektorët dhe klasat do të ndahen në lëndë të ndryshme, të strukturuara si module që përfshijnë: sjelljen e deputetit, funksionimin e Parlamentit, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe vizionin e PS për vitin 2030.
Moduli i parë, me lektorë Edi Ramën, Fatmir Xhafajn, Erion Braçen dhe Niko Peleshin është roli kushtetues i deputetit, marrëdhënia me elektoratin dhe etika e përfaqësimit.
Moduli i dytë, me lektorë Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu, i dedikohet Arkitekturës së Kuvendit dhe procesit legjislativ.
Moduli i tretë, marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare, do të shpjegohen nga Elisa Spiropali, Adea Pirdeni dhe Olta Xhaçka.
Komunikimi politik është moduli i katërt, me Taulant Ballën, Endri Fugën dhe Eduard Shalsin që do t’i tregojnë deputetëve të rinj si të performojnë.
“PS dhe vizioni 2030” është moduli i pestë, që do të sillet në Akademinë Politike prej Milva Ekonomit, Bledi Çuçit dhe Evis Kushit.
Shkolla verore në selinë rozë nis vetëm pak orë pasi Partia Socialiste festoi 34-vjetorin e krijimit të saj. Edhe pse me 1 javë vonesë, për shkak të mungesës së kryetarit Edi Rama, i cili ndodhej në SHBA kur mori pjesë në dasmën e djalit të George Soros, Aleks, socialistët u mblodhën mbrëmjen e djeshme në ambientet e selisë për të trokitur gotat me njëri-tjetrin.
Mes shumë personazhesh të PS, të vjetër e të rinj, nga Gramoz Ruçi e deri te Sara Mila, kandidatja më e votuar në zgjedhjet e fundit, në festë u vu re mungesa e Pandeli Majkos, shkruan A2 CNN. Ish-kryeministri nuk do të jetë as në Parlamentin e ri që nis në shtator, pasi nuk arriti të merrte votat e duhura në listën e hapur për të siguruar mandatin.
Në festë nuk ishin të pranishëm edhe Taulant Balla, Fatmir Xhafaj dhe Toni Gogu. Por ndërsa mungesës së Majkos nuk i dihet arsyeja, tre deputetët janë të justifikuar, pasi kanë qenë në Strasburg, ku morën pjesë në Komitetin e Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri. (A2 Televizion)