“Unë e kam edhe nga burime të caktuara, individë të lidhur me kryeministrin financojnë partitë e reja. I financojnë duke i futur njerëzit në listat për deputet... biznesi, i cili është i lidhur me interesa me këtë mazhorancë socialiste investohet shumë te disa parti të reja këtu, duke futur qoftë edhe individë për kandidatë për deputet. Për partitë e reja, këtu kam fjalën për euroatlantikët e Lulzim Bashës. Këtu unë e kam informacion”.
Këto ishin akuza të ngritur mbrëmjen e së hënës në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN nga gazetari Reldar Dedaj ndaj partive të reja, e konkretisht ndaj euroatlantikëve të Lulzim Bashës.
Nuk ka vonuar shumë pas këtyre akuzave dhe koalicioni Euroatlantik ka reaguar me anë të një deklarate për mediat. Në deklaratë hidhen poshtë këto akuza, duke u vlerësuar si mashtrime të ulëta e gënjeshtra të trasha.
“Pasi nuk ia dolën ta pengojnë hyrjen në zgjedhje, mercenarët mediatikë të zëdhënësve të Edi Ramës dhe Sali Berishës kanë nisur një valë shpifjesh në media kundër Koalicionit Euroatlantik.
Koalicioni Euroatlantik hedh poshtë me neveri mashtrimet e ulëta të shpërndara në studion e A2 nga individë të sponsorizuar nga klane të lidhura me trekëndëshin e Bermudës.
Koalicioni Euroatlantik as nuk është financuar, as nuk financohet nga Edi Rama, apo nga ndonjë person i lidhur me pushtetin e tij. E kundërta është e vërtetë për pronarët e gazetarit në fjalë.
Gënjeshtrave të trasha u ka dalë boja, bashkë me pseudo-gazetarët, pseudo-analistët dhe pronarët e tyre.
Të gjitha makinacionet e punëdhënësve të këtyre pseudo-gazetarëve, që lejojnë të përdoren si zëdhënës të korruptuar të sistemit, kanë dështuar përfundimisht në përpjekjet për të penguar Koalicionin Euroatlantik. Sepse Koalicioni Euroatlantik është e vetmja alternativë reale ndaj Edi Ramës, Sali Berishës dhe ministrave të tyre, dhe është zëri i shqiptarëve që duan drejtësi, dinjitet dhe një Shqipëri europiane”, thuhet në reagimin e koalicionit Euroatlantik. (A2 Televizion)