Presidenti Bajram Begaj priti në një takim trupin diplomatik të akredituar në Tiranë. Gjatë fjalës përshëndetëse kreu i shtetit u shpreh se Shqipëria do të vijojë rrugëtimin e saj drejtë anëtarësimit të plotë.
“Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është një proces transformues, që synon të forcojë institucionet, të rrisë standardet dhe të konsolidojë stabilitetin. Hapja e të gjithë grup-kapitujve të negociatave konfirmoi njohjen nga Bashkimi Evropian të reformave të ndërmarra, duke shënuar kalimin, nga aspirata, në një angazhim, në një angazhim të strukturuar dhe të bazuar në meritë”.
Reforma në drejtësi, u nënvizua nga presidenti Begaj si elementi që tregon transforimin e vendit duke nënvizuar mbështetjen ndaj institucioneve, shkruan A2 CNN.
“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të mbetet në krye të agjendës sonë, dhe kjo jo si kërkesë e partnerëve, por si një nevojë jetike për të ardhmen e vendit. Reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë të pjekurisë institucionale. Sot, institucionet e reja të drejtësisë flasin me gjuhën e rezultateve, duke thyer mitin e pandëshkueshmërisë dhe duke forcuar gradualisht besimin e qytetarëve te shteti i së drejtës. Ne jemi të vetëdijshëm se pritshmëritë janë më të larta se kurrë dhe pikërisht kjo është shenja e një shoqërie që nuk kënaqet më me simbolikë, por kërkon drejtësi funksionale”.
Ky takim vjen në një kohë kur vendi pret që të nis procesin e mbylljes së kapitujve negociues me BE. (A2 Televizion)