Konkursi për shtëpinë e fëmijëve, Rama: Sot u japim rrugë dy drejtimeve të reja për të ardhmen

Nga A2 CNN
29 Janar 2026, 11:10 | Politikë

Po zhvillohet sot faza e dytë e Konkursit Ndërkombëtar për projektimin e “Shtëpisë së Re të Fëmijëve & Kompleksit të ri të Inspektorateve Shtetërore”, ku studiot finaliste po prezantojnë projektet e tyre përpara jurisë ndërkombëtare, e cila do të përcaktojë projektin fitues mes propozimeve me vlera të spikatura arkitekturore, urbane dhe mbi të gjitha sociale.

Në çeljen e kësaj faze konkurrimi ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi rëndësinë e këtij procesi si pjesë e një qasjeje të re për zhvillimin e hapësirave publike dhe përfshirjen e arkitekturës bashkëkohore në shërbim të interesit publik.

“Falë këtij procesi do të kemi më në fund pas vitesh një stadium të ri të përmasave europiane, një tjetër vepër arkitektonike të denjë për historinë e re që po shkruajmë së bashku me këtë skuadër të jashtëzakonshme arkitektësh, Bibliotekën e re Kombëtare, një mjedis i shumë nevojshëm prej vitesh dhe një tjetër vepër e spikatur në historinë, jo thjeshtë të vendit tonë, por në historinë e arkitekturës bashkëkohore. Do të kemi po ashtu një kompleks të ri zyrash për administratën, për një numër të konsiderueshëm institucionesh, do të kemi pallatin e ri të sportit, një vepër mbresëlënëse që në projekt mori mbështetjen konsensuale të jurisë ndërkombëtare dhe një sërë veprash të tjera me interes të madh publik”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

“Sot me këtë projekt, ne i hapim rrugë dy drejtimeve të reja për të ardhmen, duke krijuar kushte tërësisht të reja për fëmijët që janë në duart e solidaritetit të shoqërisë, jetimët dhe njëkohësisht edhe për korpusin e ri të inspektorateve dhe me këtë rast dua të falënderoj këtu kryeinspektorin që për 10 vite rresht drejtoi një institucion që lindi vërtetë nga hiçi dhe u krijua nga e para dhe që sot është gati të bëjë një hop tjetër. Thënë të gjitha këto, dua t’i përgëzoj edhe të gjitha studiot lokale që janë këtu të pranishme si partnerë të studiove ndërkombëtare, sepse në ndërkohë që zhvillohen projekte, në ndërkohë që lidhen marrëveshje të reja dhe në ndërkohë që Shqipëria është bërë një pikë referimi në botën e arkitekturës bashkëkohore si një vend ku ka një përqendrim të madh arkitektësh ndërkombëtar me shumë zë, Shqipëria është njëkohësisht edhe një universitet i hapur që i jep mundësi të gjithë arkitektëve të rinj shqiptarë, që i jep mundësi studiove të reja në Shqipëri, që përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me këta mjeshtra dhe këto studio të mëdha me plot eksperiencë, të marrin dije dhe të përfitojnë eksperienca që nuk ka asnjë universitet apo asnjë praktikë pune në një studio të huaj që të jep”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos