“Nuk ka ngadalësim të integrimit”, Rama: Shqipërisë po i buzëqesh fati si asnjëherë më parë

Nga A2 CNN
2 Prill 2026, 08:54 | Politikë

“Nuk ka ngadalësim të integrimit”, Rama:

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë një bashkëbisedimi me të rinj studentë se Shqipëria ndodhet për herë të parë në histori në një moment ku fati po u buzëqesh shqiptarëve, sa i takon integrimit në BE. Kreu i qeverisë theksoi se nuk jemi në kushtet ku ka një ngadalësim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, raporton A2CNN.

Jemi në një moment kur për herë të parë në histori fati po u buzëqesh shqiptarëve dhe Shqipërisë. Po sjell një shembull për ngadalësimin, që të kuptohemi pse aktualisht s’jemi në kushtet ku ka ngadalësim. Raporti i një vendi anëtar kalon përmes dy katesh. Kati i parë është Komisioni Europian. Ai është rezultat i zgjedhjeve europiane. Europa bën zgjedhje, zgjedh Parlamentin Europian, dhe në bazë të marrëveshjeve zgjidhet Presidentja dhe komisionerët. Qeveria e BE është e vetmja qeveri në historinë e njerëzimit që s’ka asnjë metër/katror të vetin, sepse metrat/katror i kanë vendet anëtare. Kjo qeveri mbikëqyr edhe territorin me vendet aspirantë, kandidate, vendet që negociojnë e kështu me radhë. Komisioni Europian ka 35 mijë njerëz, që punojnë për të gjitha fushat. Një pjesë merren vetëm me ne. Duke qenë se jemi vend kandidat, na japin detyrat. Komisioni thotë t’i hapim negociatat me Shqipërinë, aty janë 27, mjafton njëri të thotë ‘jo’, dhe negociatat nuk hapen. Ne jemi propozuar 3 herë për të hapur negociatat dhe 3 herë jemi refuzuar”, tha Rama. 

Kryeministri u shpreh se nesër mund të ndodhë edhe që dera e BE-së të mbyllet, por e rëndësishme sipas tij është që ne të mos bëhemi shkak që kjo të ndodhë. 

Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: Sa kohë kemi? Sepse s’i bie çdo brezi fati që të bëj histori. Ne mund të bëjmë historinë duke hyrë në BE. Është hapur dera, por dera mund të mbyllet. E rëndësishme është që të ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet dera. Por dera mund të mbyllet sepse ata mund të rikthehen në një situate ku të thonë ‘prit njëherë’! Ne duhet të bëjmë maksimumin për sa kohë dera është e hapur”, shtoi kreu i qeverisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos