3 orë mosbindje civile, shi molotovësh mbi institucione, sulmohet selia e PS

Nga A2 CNN
7 Tetor 2024, 21:38 | Politikë

Ndonëse kishin marrë leje për 4 orë protestë, organizatorët e opozitës e mbyllën marshimin e tyre në rrugët e kryeqytetit më herët.

Pa fjalime dhe një vend për t’u grumbulluar mbështetësit e opozitës ecën për më shumë se 3 orë nga njëri institucion te tjetri, përgjatë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku lëshuan bomba molotov dhe objekte të tjera piroteknike.

Gjithçka nisi përpara Kryeministrisë, kur deputetët demokratë që drejtoheshin nga Flamur Noka dhe Gazmend Bardhi iu afruan kordonin të policisë për të debatuar, çka shkaktoi dhe irritimin e turmës e cila nisi të përballej me efektivët blu.

Dhjetëra shishe me benzinë fluturuan drejt godinës së Kryeministrisë, por ajo që e pësoi ishte vetëm një pemë, flakët mbi të cilën u fikën me shpejtësi.

Më pas, për herë të parë në një protestë në Shqipëri, mbështetësit e një grupimi politik, sulmuan selinë e kundërshtarëve të tyre kryesorë, atë të Partisë Socialiste.

Edhe këtë herë flakët dogjën vetëm një poster të kryeministrit Rama që mbulonte fasadën, teksa u thyen dhe disa xhama.

Pas kësaj, ndalesa e radhës ishte Ministria e Brendshme dhe më pas Bashkia, aty ku u shënuan dhe të lënduarit e parë.

Bombat molotov këtë herë shpërthyen në mes të policisë duke lënduar disa efektivë, teksa një mjet shpërthyes i kthyer pas nga policia rrezikoi edhe jetën e disa qytetarëve, pjesëmarrës në të ashtuquajturën “mosbindje civile”.

E ndërsa turma po grumbullohej përpara Parlamentit, ishte dhe momenti kur policia ndryshoi strategji. Gazi lotsjellës mbuloi rrugën dhe protestuesit nuk mundën të qëndronin, teksa në drejtim të tyre u hodh dhe ujë me presion.

Bilanci i kësaj protestë shënoi 10 policë të lënduar, 3 nga radhët e protestuesve të opozitës dhjetëra xhama të thyer dhe hije zjarri në institucionet kryesore të vendit.

Fundi, si gjithmonë ishte oborri i Partisë Demokratike, ku Flamur Noka pasi falenderoi të pranishmit, e cilësoi protestën e si hapin e parë të mosbindjes civile.

“Sot ishte dita e para që mosbindja civile zbriti në rrugët e Tiranës. Regjimi narkos i tërbuar, sot mori një mesazh: Jepi zgjidhje kërkesës së qytetarëve, jepi zgjidhje qeverisë teknike, ndryshe narkosi në pushtet nuk do të ketë qetësi. Qytetarët sot i dhanë leksion Ramës.

Narkosi duhet t’i hapë rrugë një qeverie teknike. Ata janë duke u dridhur, të tërbuar pasi forca e qytetarëve iu ka kallur datën”, tha Noka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos