Në fillim procesi i brendshëm zgjedhor dhe pastaj protestat kundër qeverisë. Këtë pohoi Sali Berisha, teksa konfirmoi se data më e afërt e tubimi të demokratëve në shesh kundër qeverisë do të jetë në muajin qershor.
“Pas përfundimit të proceseve në parti, vazhdojmë serinë e kryengritjeve paqësore gjer në largimin e narkoshtetit të Edi Ramës nga qeveria”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Për Berishën nuk do të kenë pushime gjatë verës, duke përgatitur të vetët të sfidojnë jo vetëm verën e nxehtë, por edhe ethet e botërorit të futbollit që zgjat nga fillimi I qershorit deri në mes të korrikut.
“Opozita ka kryengritje paqësore, betejë të pandërprerë me mafien më të rrezikshme të Evropës dhe njërën prej më të rrezikshmet në botë. Ndaj dhe ne, që i kemi shpallur luftë mafies në emër të shtetit ligjor, nuk mund të kemi asnjë pushim”, tha Berisha.
Procesin e brendshëm zgjedhor e quan shembullor, por pohon se nuk ka nevojë që të bëjë fushatë pasi në fletën e votimit do të jetë vetëm emri i tij në një proces referendar. Berisha minimizoi dhe ankesat e zyrtarëve demokratë që u përjashtuan nga gara, duke mos u shqetësuar as për letrën që Ervin Salianji ka dërguar në PPE ku denoncon procesin zgjedhor.
“PD është anëtare e të gjitha këtyre institucioneve dhe ai që shkruan letër është një i vetëpërjashtuar nga kjo parti. Por ai natyrisht ka të drejtat e tij, mund të shkruajë letra ku të dojë, është i lirë. Sikundër është i lirë t’i drejtohet organeve të partisë, gjykatës së partisë, ku të shprehë ankesën, megjithëse ai u vetëpërjashtua, zgjodhi vetë vetëpërjashtimin. Ndaj dhe letrat e shkruara nga zyra e Edi Ramës apo ndonjë tjetri, nuk kanë asnjë vlerë për Sali Berishën”, tha ai.
Para gazetarëve Berisha kishte dalë për një tjetër çështje, pasi akuzoi qeverinë se me vjedhjet në tendera kanë tejkaluar edhe fondin e pensioneve. (A2 Televizion)