Nga projektet infrastrukturore, te minoritetet dhe integrimi, çfarë u diskutua në takimin Hoxha- Ibrahimović

Nga A2 CNN
19 Maj 2026, 12:21 | Politikë

Nga projektet infrastrukturore, te minoritetet dhe integrimi, çfarë

Projekti i urës mbi lumin Buna si dhe hekurudha Podgoricë-Hani i Hotit, ishin në fokus të diskutimeve mes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha dhe homologut malazez  Ervin Ibrahimović. Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë, në 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe të pavarësisë së Malit të Zi, ministrat theksuan qëndrueshmërinë e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal.

“U dakordësuam se vëmendja jonë duhet të përqendrohet gjithnjë e më shumë te projektet ndërkufitare që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e qytetarëve tanë në të dy anët e kufirit. Në këtë kuadër, do të angazhohemi për tu dhënë shtysë projekteve prioritare si hapja e Pikës së Përbashkët Kufitare Zogaj-Skje, avancimi i projektit të Urës mbi lumin Buna, si dhe hekurudha Podgoricë-Hani i Hotit”, u shpreh ministri Hoxha.

Një tjetër temë e diskutimeve mes dy kryediplomatëve ishte edhe roli i shqiptarëve në Mal të Zi dhe të minoritetit malazez në Shqipëri si ura lidhëse mes dy vendeve, ndërsa u theksua rëndësia e respektimit të të drejtave të tyre.

“Shqiptarët në Mal të Zi dhe minoriteti malazez në Shqipëri mbeten ura të fuqishme lidhëse mes dy vendeve tona dhe një pasuri e çmuar e marrëdhënieve tona. Shqipëria mbetet e palëkundur që minoriteti malazez të gëzojë të gjitha të drejtat që garantohen nga ligji, ligji kombëtar dhe ndërkombëtar, ashtu siç presim që komuniteti shqiptar në Mal të Zi të vijojë të ketë përfaqësim të drejtë dhe proporcional në jetën institucionale dhe administratën publike”.

Ministri Hoxha bëri të ditur se i propozoi jomologut malazez, riaktivizimin e mekanizmit të Takimeve Ndërqeveritare “Qeveri me Qeveri” (G2G), për avancimin e projekteve ekonomike, infrastrukturore dhe të ndërlidhjes mes dy vendeve.

“I propozova kolegut Ibrahimović që të shikojmë, të analizojmë gjithçka që kemi arritur deri tani, të analizojmë marrëveshjet që kemi nënshkruar, të shikojmë se çfarë mund të bëjmë më shumë, më mirë, më shpejt, në interes të dy vendeve tona, të shoqërive tona, në interes të dialogut dhe për këtë mendojmë që në një moment të përshtatshëm të riaktivizojmë një mekanizëm të rëndësishëm mes dy vendeve tona që është Takimi Ndërqeveritar, Qeveri me Qeveri (G2G), natyrisht në momentin e duhur, kur të kemi elementët e nevojshëm për të shkuar më tej, për të bërë më shumë dhe për të çuar marrëdhëniet tona në një nivel më të lartë, sepse është një mekanizëm i rëndësishëm për të avancuar projektet konkrete ekonomike, infrastrukturore dhe të ndërlidhjes”.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe integrimi europian. Kryediplomati shqiptar përgëzoi Malin e Zi për progresin në negociatat me Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen sot vende pararojë të procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos