"Nuk respektohet Kushtetuta", Ndreca: Oficeri i Policisë Gjyqësore mund të kontrollojë veprimtarinë bankare të çdo qytetari

Nga A2 CNN
30 Prill 2026, 21:43 | Politikë

Plarent Ndreca shpjegoi atë që e ka konsideruar “tirani gjyqësore në emër të drejtësisë”, duke iu referuar proceseve gjyqësore në vendin tonë.

Në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, juristi u shpreh: “Një sistem gjyqësor i cili nuk respekton ligjin, nuk respekton Kushtetutën, nuk respekton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, do të thotë tejkalon ato çfarë Kushtetuta i ka përcaktuar si kufij dhe kthehet në tirani. Sepse tirania nuk është ekskluzivitet i ekzekutivit, tirania është ekskluzivitet i çdo pushteti”.

Më tej, Ndreca theksoi se përveç sa më sipër, oficerët e Policisë Gjyqësore mund të shohin “në çdo moment çdo lloj veprimtarie bankare të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë”.

“Nuk respektohen afatet e hetimeve, nuk respektohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, nuk respektohen të drejtat e privatësisë, nuk respektohen të drejtat që kanë të bëjnë me sekretin bankar. Madje, unë para para pak kohësh mësova që një oficer i Policisë Gjyqësore mund të futej “online” dhe të shihte në çdo moment çdo lloj veprimtarie bankare të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë. Ky është një tejkalim i standarteve që përcakton Strasburgu, se nuk mund të futet një oficer i Policisë Gjyqësore pa një vendim gjyqësor në të dhëna kaq sensitive”, deklaroi Ndreca. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos