Plarent Ndreca deklaroi se partitë politike mund të vijnë në pushtet “jo domosdoshmërisht me demokraci të brendshme”.
Në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, juristi Ndreca shpjegoi: “Ne si shoqëri në fakt nuk kemi kulturë demokratike. Nuk njohim ndonjë rast ku kemi pasur shoqëri demokratike apo udhëheqje demokratike. Shtuar kësaj edhe një element tjetër që unë mendoj se kur flasim për demokracinë, në fakt kemi parasysh sistemin shtetëror demokratik. Pra, jo domosdoshmërisht mendoj që partitë politike duhet të jenë demokratike sepse mund të ketë edhe parti që nuk janë fare demokratike, por mund të marrin pushtetin prej ideve që ata kanë, në mënyrë demokratike. Pra, e marrin pushtetin në mënyrë demokratike, jo domosdoshmërisht me demokraci të brendshme. Kjo nuk do të thotë që unë nuk jam pro demokracisë së brendshme. Por, ndodh edhe kështu. Por, patjetër që unë nuk jam kundër që një organizatë politike vullnetare të jetë demokratike”.
Sipas Ndrecës, partitë në opozitë e kanë më të nevojshme demokracinë e brendshme.
“Unë mendoj se tek partitë politike që janë në opozitë është më e nevojshme demokracia sepse ato kanë nevojën për të ardhur në pushtet dhe mendoj që instrumenti më i mirë për të zgjedhur kandidatin më të aftë që mban mbi shpatulla barrën për të thyer kandidatin që është në pushtet, zgjidhet nëpërmjet instrumentit demokratik. Partitë politike që janë në pushtet janë zgjedhur në mënyrë demokratike dhe ai që drejton mazhorancën, edhe në rastin tonë, është një i zgjedhur në mënyrë demokratike. Për rrjedhojë, nuk ka sens kur merr 800 000 vota shqiptarësh të bësh zgjedhje demokratike në parti, ndërkohë që ti e ke marrë besimin. Se mos harrojmë një gjë, që neni 1 i çdo statuti të një partie është marrja e pushtetit”, deklaroi Ndreca.
(A2 Televizion)