Nxehen gjakrat në mbledhjen e grupit të PD-së, Berisha “mollë sherri” mes Tritan Shehut e Bledion Nallbatit

Nga Anesti Barjamemaj
12 Mars 2024, 13:14 | Politikë

Mbledhja e Grupit Parlamentar të PD-së së Rithemelimit, e thirrur nga Gazment Bardhi pak para se ai t’i bashkohet tryezës së Konferencës së Kryetarëve pas 5 muajve bojkot, është shoqëruar me debate të ashpra.

Vëmendjen e ka marrë përplasja midis Tritan Shehut dhe Bledion Nallbatit. Ka qenë deputeti që përfaqëson qarkun e Gjirokastrës, ai që ka kërkuar nga grupi demokrat intensifikimin e aksionit opozitar në mbrojtje të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ne duhet të vijojmë të kërkojmë lirimin e Sali Berishës nga arresti shtëpiak. Pavarësisht ka apo nuk ka marrëveshje pas negociatave, aksioni brenda dhe jashtë parlamentit duhet të vijojë. (Gjë që e konfirmoi dhe në deklaratë para mbledhjes së grupit)”, mësohet të jetë shprehur Shehu.

Kjo fjali e tij ka nxitur reagimin e ashpër të kolegut Bledion Nallbati, i cili e ka kritikuar Shehun duke i thënë se ai nuk ka marrë pjesë në aksionin parlamentar, ndaj nuk i takon të flasë para deputetëve që e kanë drejtuar atë.

Ti nuk ke bërë asgjë në Kuvend gjatë aksionit dhe flet këtu për aksionin. Hajde ta vazhdojmë aksionin, por ta drejtosh ti”, është shprehur Nallbati, i cili më pas ka braktisur mbledhjen dhe ka pasur një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm Flamur Noka për të qetësuar situatën.

Sipas gazetarit të A2CNN, Anesti Bajramemaj debati Shehu-Nallbati ka qenë me tone të larta që janë dëgjuar deri në ambientet e jashtme të selisë së PD-së.

Nuk është arritur mes deputetëve një dakordësi për mënyrën sesi do të vijojë aksioni opozitar pas bashkimit të dy grupeve.

Por duket se të gjithë kanë qenë në një mendje për mandatimin e Gazment Bardhit, që të marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve dhe t’i paraqesë mazhorancës propozimet e opozitës për zgjidhjen e krizës politike dhe rikthimin e normalitetit në jetën parlamentare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos