“O sot o kurrë!”, Berisha pas masës: Arrest politik, të mbështesim betejën tonë pa kthim!

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2023, 19:35 | Politikë

Arrest politik e cilësoi Sali Berisha masën e vendosur ndaj tij nga Gjykata e Posaçme. Ish-kryeministri flet për hakmarrje të rivalit Edi Rama, shkaktuar nga tmerri që thotë se opozita i ka ngjallur shefit të Qeverisë.

“Kjo masë arresti politik, dëshmi e një hakmarrje politike të verbër të Edi Ramës, nuk shpreh vetëm urrejtjen e tij të trashëguar ndaj kundërshtarit, por mbi të gjitha shpreh frikën, tmerrin që ne të dashur miq i kemi kallur atij deri në palcë dhe botës së tij të krimit me betejën tonë pa kthim. Ai që mendon se asgjësoi pluralizmin dhe opozitën do ketë fatin që populli opozitar i rezervon armiqve të lirisë, diktatorëve.”, u shpreh Berisha.

Në reagimin e shprehur përmes rrjeteve sociale, pasi ishte komunikuar masa e “arrestit në shtëpi” shoqëruar me kufizimin e komunikimit, kreu i Rithemelimit garanton mbështetësit se asgjë nuk do të ndryshojë sa i përket atij.

“Sali Berisha do të vazhdojë të punojë dhe të luftojë çdo minutë, me të gjitha format dhe mjetet për të rikthyer demokracinë që aktualisht është e shpërfytyruar: Më shumë nga të gjithë që e kupton se litari i kalbur po i këputet është vetë Edi Rama. Unë jam i bindur se sot jemi së bashku jo thjesht ata demokratë që janë në krah të Sali Berishës, por dhe ata shqiptarë që e ndjejnë dhe e përjetojnë se Shqipëria është në rrezik. Me bindjen se ata që duan Shqipërinë janë më shumë se ata që duan Sali Berishën, thekson se nuk ushqen dyshime për fitoren e opozitës. Çdo masë që merr ky pushtet ndaj meje dhe opozitës është e përkohshme. Ajo që mbetet e pamposhtur është mosdorëzimi ynë dhe vendosmëria jone që izolimin e opozitës ta kthejmë në betejë lirie dhe në fitore për shqiptarët.”, vijon më tej Berisha.

Reagimin e mbyll duke ftuar mbështetësit të vazhdojnë betejën pa kthim, me moton “o sot o kurrë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos