Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në përmbylljen e edicionit të 32-të të festivalit “Oda Dibrane”, duke e cilësuar atë si simbol të bashkimit të shqiptarëve brenda dhe jashtë trojeve kombëtare. Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe përcjelljes së traditave te brezat e rinj.
Këtë fundjavë Presidenti Begaj mori pjesë në përmbylljen e edicionit të 32-të të festivalit “Oda Dibrane”. Begaj e vlerësoi këtë veprimtari si simbol të bashkimit mes shqiptarëve në të gjitha trevat në Diasporë dhe me kontribut në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar.
“Sonte jemi së bashku këtu, në Peshkopi. Dy qytete, dy shtete, një Dibër. Një kulturë që nuk e ndajnë dot kufijtë. Kjo është një nga arritjet më domethënëse të “Odës Dibrane”. Ajo bashkon shqiptarët e Shqipërisë me shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe Diasporën tonë kudo në botë”.
Kreu i Shtetit vuri theksin edhe mbi rëndësinë e domodoshmërisë së ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj.
“Trashëgimia kulturore nuk është vetëm kujtim i së shkuarës dhe folklori nuk mund të jetë një muze që hapet disa herë në vit, vetëm për festa. Një traditë jeton vetëm kur këndohet, kërcehet, rrëfehet, mësohet dhe përcillet. Një këngë që nuk këndohet më, humbet. Një valle që nuk mësohet më, humbet. Një fjalë, një rit, një instrument apo një mjeshtëri që nuk i kalon brezit tjetër, rrezikon të mbetet vetëm në arkivë”.
Presidenti Begaj vlerësoi edhe kontributin e Diasporës, duke theksuar se kënga, vallja, gjuha dhe zakonet janë ura që lidhin shqiptarët me vendlindjen. (A2 Televizion)