Skënderbeu në Universitetin e Vjenës

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2026, 12:37 | Blog

Skënderbeu në Universitetin e Vjenës

Nga Enver Robelli

Mbrëmë, në Universitetin e Vjenës, u prezantua biografia e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, e shkruar nga historiani dhe profesori Oliver Jens Schmitt. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese Dora D’Istria me seli në Zürich. Gati 80 vetë morën pjesë në këtë aktivitet kulturor, duke e shndërruar në një mbrëmje vërtet të bukur.

Në ligjëratën e tij, prof. Schmitt e lartësoi Skënderbeun si personalitet historik, i cili, përkundër rrethanave të vështira, tregoi talent të pashoq jo vetëm në fushëbetejë, por edhe si politikan që arriti ta ndërkombëtarizojë kauzën e tij për një shtet arbëror - lidhje këto që shtriheshin nga Napoli deri në Dubrovnik dhe nga Vatikani deri në Venedik. Në mbyllje të fjalës së tij, Schmitt i bëri thirrje mërgatës shqiptare që të investojë në kulturë, shkencë e arsim, për të lënë një trashëgimi të qëndrueshme.

Në vijim e gjeni edhe fjalën time, të mbajtur mbrëmë në Universitetin e Vjenës.

***

Përshëndetje të gjithëve,

pacienti më i famshëm shqiptar i Vjenës me gjasë është Naim Frashëri. Si shumë njerëzve në fund të shekullit të 19-të, edhe atij iu shfaq tuberkulozi, në atë kohë një sëmundje shumë e rrezikshme. Nga Stambolli, ku punonte në një zyrë shtypi, Naim Frashëri u kthye në Berat e Sarandë. Me gjasë ishte aq shumë i mërzitur nga puna e tij si doganier në Sarandë, saqë nisi të shkruajë vjersha. Për të gjetur ilaç kundër sëmundjes ai erdhi në Baden afër Vjenës, një vend i njohur për ujërat termalë. Me gjasë rreth vitit 1877.

Një ditë Naim Frashëri e ndërroi rolin: prej pacientit u bë turist. Erdhi në Vjenë për vizitë. Këtë na e dëshmon me vargjet e tij.

Kush nuk e di Skënderbenë,

Që nderojti mëmëdhenë?

“Lum ti, moj Shqipëri!” thashë,

Armët e ti’ kur i pashë

Ndë Belvedere në Vjenë,

Sikur pashë Skënderbenë.

Dhe sot nga armët e tija

Kullon fjeshtë trimëria!

Një pacient tjetër i famshëm nga bota letrare ka qenë Franz Kafka. Ai ka vdekur afër Vjenës, në një sanatorium për trajtimin e mushkërive.

Migjeni, një poet i madh shqiptar që si askush tjetër trajtoi temën e varfërisë e mjerimit, nuk vdiq në Vjenë, por as në Shqipëri. Ndërroi jetë afër Torinos, në Itali. Edhe ky i sëmurë nga tuberkulozi.

Poetët vdesin të rinj. Naim Frashëri ishte 54-vjeç kur ndërroi jetë. Franz Kafka - 40 vjeç. Migjeni - 26 vjeç. Por ata janë dëshmi e gjallë se edhe një jetë e shkurtër, mund të lë gjurmë të thella në histori. Siç ka lënë edher Skënderbeu, i cili ndërroi jetë në moshën 62-vjeçare, nga këndvështrimi i sotëm - në lule të rinisë.

***

Faleminderit shumë të gjithëve që keni ardhur në këtë promovim. Nëse kam numëruar mirë, ky është promovimi i dymbëdhjetë që brenda pak vitesh kemi organizuar në mërgatë. Nga Zürichu në Stockholm, nga Berlini në Stuttgart, nga Hamburgu në Zagreb. Dhe hera e dytë që po vijmë në Vjenë falë përkrahjes nga profesori Oliver Jens Schmitt dhe Universiteti i Vjenës. Një ndihmë të çmuar në organizimin e kësaj mbrëmjeje ka dhënë Ermal Vejsa, për këtë e falënderoj shumë.

***

Për Skënderbeun do t’ju flasë pastaj profesori Schmitt, unë, shumë shkurt, për diçka krejt tjetër.

Për rëndësinë e leximit.

Revista amerikane «The Atlantic» këtë verë shkroi: «Fundi i leximit ka ardhur».

Në librin e tij me titull ogurzi «Fundi i leximit», James Marriott, kolumnist i gazetës britanike «The Times», shkruan: «Rënia e leximit nënkupton shumë më tepër sesa thjesht humbjen e një hobi të këndshëm». Dhe vazhdon: «Gjatë gjithë historisë moderne, demokracia dhe aftësia për të lexuar e shkruar kanë ecur krah për krah. A mund t’i mbijetojë demokracia zhdukjes së kulturës së shtypit? Kjo është një nga pyetjet më urgjente të kohës sonë».

Pa kulturë të leximit nuk ka demokraci. Në kujtimet e tij, Luigji XIV, i cili u quajt edhe Mbreti Diell i Francës, kishte shkruar këtë fjali: «Njerëzit mbi të cilët sundojmë dhe që nuk janë në gjendje të depërtojnë në thelbin e gjërave, zakonisht gjykojnë sipas asaj që duket në sipërfaqe».

Për këtë arsye autokratët - kudo në botë, e edhe në demokracitë e konsoliduara, edhe sot e kanë aq lehtë të sundojnë.

Këtu hyjnë edhe popullistët. Parti të ekstremit të djathtë dhe të majtë, kudo në Europë, nuk ngurrojnë, për shembull, të mohojnë pavarësinë e Kosovës dhe ta quajnë gabim ndërhyrjen e Perëndimit më 1999 për shpëtimin e një populli të rrezikuar nga gjenocidi. Sa më të painteresuar janë komunitetet shqiptare në Perëndim mbi zhvillimet politike në vendet ku jetojnë, aq më e zhurmshme do të jetë propaganda e ekstremistëve kundër tyre. Shpesh mërgata shqiptare lë përshtypjen e një komuniteti pa zë. Inferiore. Indiferente. E vetëkolonizuar nga banalitetet.

Është koha e fundit që kjo të ndryshojë.

Të ndryshojë me vetëorganizim.

Me bashkim e bashkëpunim të njerëzve me vullnet të mirë.

Nuk duhet të kemi iluzione: për partitë politike shqiptare në Ballkan, mërgata është interesante vetëm para zgjedhjeve. Kjo është dokumentuar edhe me statistika. Në tre muajt para zgjedhjeve mërgata (ose diaspora) përmendet tri herë në 10 mijë fjalë. Në muajt e tjerë, pas zgjedhjeve, kjo përmendje bie në 0,9 herë.

Por 1 milion shqiptarë vetëm në Gjermani, Austri e Zvicër janë një potencial i madh. Në një atmosferë polarizimesh të thella shoqërore, ndoshta mund të na bëjnë bashkë figura si Skënderbeu, si Naim Frashëri apo Migjeni. Dhe sidomos - kjo është shpresa ime - mund të na bashkojnë librat. Gjërat e shkruara. Sepse vetëm çka shkruhet - mbetet.

Për këtë arsye është themeluar shtëpia botuese Dora D’Istria. Që të jetë një urë e kulturës shqiptare - jo vetëm mes mërgatës dhe vendeve të origjinës, por edhe mes mërgatës dhe shoqërive perëndimore.

Dora D’Istria mbijeton vetëm me vullnet e vetëmohim të themeluesve dhe me lexues e lexuese që herë pas here blejnë ndonjë libër. Qëllimi ynë është përkrahja e autorëve dhe botimi i veprave të tjera. Kjo nuk është punë e lehtë, por nuk jemi të gatshëm të dorëzohemi. Në këtë sallë janë rreth 80 veta. Secili prej jush keni ndarë kohën tuaj të çmuar për të ardhur këtu. Kjo është një përkrahje e madhe. Edhe për këtë faleminderit.

***

Naim Frashëri erdhi në Vjenë për halle shëndetësore; u kthye i inspiruar për të shkruar poezi dhe ju la shqiptarëve një trashëgimi të rëndësishme letrare.

Ahmet Zogu erdhi më 1931 për tri arsye. I pëlqente Vjena. I pëlqente ajri i Vjenës. Në Tiranë frikësohej nga atentatet dhe nuk dilte shumë jashtë shtëpisë. Sipas raporteve të shtypit të kohës, Mbreti i pinte deri në 250 cigare në ditë. Arsyeja e tretë pse Zogu e donte Vjenën ishte se këtu kishte një të dashur. Por adetet e politikës shqiptare arritën në atë kohë deri në rrugët e Vjenës. Mbreti nuk kishte pak armiq. Disa prej tyre i bënë atentat para Operës së Vjenës.

Një tjetër politikan shqiptar, i kohës së ashtuquajtur demokratike, pasi u largua nga pushteti, gjeti qetësinë në periferi të Vjenës, në një vilë luksoze, të cilën e kishte ndërtuar me mund e me djersë, por jo të tijat, të popullit. Edhe politikanë të tjerë nga vise të tjera të banuara me shqiptarë kanë lënë gjurmët e tyre në Vjenë - veprat e tyre nuk janë për duartroktije. Shqiptarët janë tolerantë ndaj politikanëve të tyre. Edhe kur janë hajdutë.

***

Megjithatë, urime 28 nëntori. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos