Deputetët e Partisë Socialiste janë udhëzuar që të vijojnë me punën në komisionet e posaçme parlamentare për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, pavarësisht bojkotit të lajmëruar nga opozita, thanë burime për A2 CNN.
Porosia është dhënë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist që po zhvillohet këtë të hënë në kryesinë e Kuvendit. Deputetëve u është dhënë argumenti se maxhoranca duhet të zbatojë agjendën që ka Shqipëria në raport me procesin e integrimit europian dhe nuk ka asnjë minutë për të humbur.
Në mbledhjen e të hënës marrin pjesë Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, e rikthyer së fundmi në detyrë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që pezullonte masën e sigurisë dhënë ndaj saj “pezullim nga detyra”, nga Gjykata e Posaçme.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur këtë të hënë në orën 10:00 në Kryesinë e Kuvendit, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga mbyllja e sesionit parlamentar. Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi raporton se vëmendja kryesore lidhet jo vetëm me agjendën e zakonshme të maxhorancës, por edhe me disa zhvillime të veçanta politike dhe institucionale.
Në këtë mbledhje është i pranishëm kryeministri Edi Rama, ndonëse ai nuk merr pjesë gjithmonë në takimet e grupit parlamentar. Po ashtu, në këtë takim merr pjesë edhe zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e riktheu atë në detyrë, duke pezulluar masën e sigurisë “pezullim i ushtrimit të detyrës”, dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Kjo është praktikisht mbledhja e fundit e grupit socialist përpara seancës së fundit plenare të planifikuar më 18 dhjetor. (A2 Televizion)