“Opozita duhet të flasë më shumë”, zv/kryetarja e Parlamentit: Të bashkohen me ne për qytetarët

Nga A2 CNN
16 Prill 2026, 21:39 | Politikë

Deputetja socialiste Klodiana Spahiu deklaroi se është dakord që opozita të flasë më shumë në Parlament, por shtoi se e shqetëson fakti që “për hir të politikës së ashpër të frenojmë një proces që ka nisur”, duke iu referuar integrimit në Bashkimin Evropian.

“Besoj që ne, të gjithë nga pak mund ta ndryshojmë frymën tonë parlamentare. Ka elementë që mendojnë se duke përdorur forcën dhe agresivitetin mund të fitojnë pikë tek elektorati i vet. Por, a i shërben kjo shoqërisë, modelit që duhet të japim ne. Unë besoj që jo”, tha Spahiu në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Besoj që ka ardhur momenti që edhe shoqëria shqiptare arrin të perceptojë se kush është sjellja më e mirë edhe brenda Parlamentit. Mendoj që tani duhet të na bashkojë një kauzë më e madhe, që është integrimi. Gjëja që më shqetëson më tepër është se nëse nuk do të ishte arritur kjo mazhorancë, si do të bënim ne me këto ligje që kemi votuar deri tani? Nëse nuk do të votoheshin në kohën e duhur, sipas detyrimeve që kemi pasur me Bashkimin Evropian, sot nuk do të ishim në këtë proces”, shtoi deputetja e PS-së.

Më tej, Klodiana Spahiu i bëri thirrje kolegëve të opozitës që të bashkëpunojnë në rrugën e integrimit.

“Mendoj që në këtë moment, përpara atyre elementëve që deputetin mund ta bëjnë të famshëm para elektoratit, kemi objektiv tjetër. Patjetër që zërin kritik të opozitës duhet ta dëgjojmë dhe ndërkohë të bashkëpunojmë në këtë rrugën tjetër të integrimit. Edhe interpelancat, edhe minutazhi i opozitës, tani ka monitorim dhe nuk jemi më në fazën kur nuk matej koha elektronikisht. Pa dyshim, duhet që opozita të flasë më shumë. Edhe unë jam dakord me këtë, të ketë liri fjale. Deri tani janë bërë 18 interpelanca, do të vijojë të ketë, por më shqetëson fakti që për hir të politikës së ashpër të frenojmë një proces që ka nisur, nuk ka kthim dhe që i shërben qytetarit. Një gjë që duhet të na bashkojë është shërbimi ndaj qytetarit”, tha Spahiu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos