Shtatori ka nisur vrullshëm për politikën me mesazhe dhe porosi. Mazhoranca ka bërë gati të gjitha skenarët për t’ju përgjigjur sjelljes së opozitës në Parlament me qëllimin e vetëm që të mos i lëshojë terren politik në Parlament.
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialistëve ju është lënë detyrë që të jenë të pranishëm në çdo mbledhje komisioni dhe seance plenare për t’u përballur me kundërshtarët e tyre politik, raporton A2.
Deputetëve dhe kabinetit qeveritar iu është bërë e qartë që nuk duhet të kenë mungesa të paarsyeshme në jetën parlamentare. Madje A2CNN mëson se grupit parlamentar i është komunikuar që asnjë projektligj nuk duhet të diskutohet në seancë nëse nuk do të jetë ministri përgjegjës.
Në mungesë të Kryesocialistit, Niko Peleshi ju ka përcjellë deputeteve merakun kryesor të Edi Ramës, komunikimi publik i deputetëve. Rritja e performancës së tyre në rrjetet sociale do të jetë një tregues i rëndësishëm për vlerësimin e tyre, shkruan A2.
Mbi këtë strategji të re grupi parlamentar do të ketë një takim para mbledhjes së Asamblesë Së PS. (A2 Televizion)