Kreu i opozitës, Sali Berisha, komentoi mbledhjen 8-orëshe të kryeministrit Edi Rama me ministrat e deputetët në Dajt.
Berisha, gjatë fjalës së tij, nga protesta e përnatshme që zhvillohet poshtë banesës së tij, komentoi zgjedhjen e Ramës për të mos dhënë asnjë deklaratë pas mbledhjes, duke thënë se heshtja “e akuzon më shumë se çdo gjë tjetër”.
“Narko-qeveria filloi shtatorin si një qeveri mafioze. Sot ata u mblodhën me në krye kreun e Meduzës, i cili sapo u kthye si gaztor. Sipas ligjit të mafies, Omertas, pas 8 orësh mbledhje nuk tha një fjalë të vetme, sepse nuk kishte fytyrë, nuk mund të dilte para gazetarëve, për arsye se bilancet e tij dramatike, tragjike e bënin atë para shqiptarëve ashtu siç ishte hajdut, mashtrues, gaztor. Dhe tani së fundmi na del edhe fallxhor, edhe shikues filxhani në samite ndërkombëtare. Të dashur miq, mediat e tij njoftuan se kanë diskutuar për integrimin. Para se të shkonte ai u tha shqiparëve se do të merrem me problemet e mëdha të integrimit të Shqipërisë, por u kthye me bisht ndër shalë, u kthye pasi i treguan brrylin. Se nuk ka integrim me narko-shtetin që ke ndërtuar. Nuk ka integrim me dhunimin e votës së shqiptarëve. Nuk ka integrim me vjedhjen e papërmbajtur të pasurive dhe fondeve. Nuk ka integrim kurrë me burgosjet politike. Nuk integrim me trafiqet e helmeve, duke bërë Shqipërinë famëzeze në rajon dhe në botë, për trafiqe kriminale lëndësh të rrezikshme. Doli pas 8 orë mbledhje, nuk shqipëroi dot një fjalë të vetme, por heshtja e tij e akuzon më shumë se çdo gjë tjetër. Heshtja e tij dëshmon kartonin e kuq që i ka nxjerrë përfundimisht narko-trafikantit, kreut të narko-shtetit, Edi Rama”, tha Berisha. (A2 Televizion)