“Orar i kufizuar qarkullimi për shoferët e rinj”, ndryshimet e propozuara nga PS për Kodin Rrugor

Nga A2 CNN
8 Maj 2026, 11:40 | Politikë

“Orar i kufizuar qarkullimi për shoferët e rinj”,

A2CNN ka zbardhur ndryshimet e propozuara nga Partia Socialiste për Kodin Rrugor.

Ndryshimet parashikojnë masa më të ashpra për drejtuesit e mjeteve, veçanërisht për shoferët e rinj, personat që drejtojnë automjetin pa patentë dhe ata që kapen në timon nën efektin e alkoolit, shkruan A2.

Sipas amendamenteve, çdo person që kapet duke drejtuar mjetin pa patentë nuk do të mund të pajiset me leje drejtimi për një periudhë 1-vjeçare, përveç përgjegjësive që parashikon legjislacioni penal në fuqi.

Një tjetër ndryshim lidhet me drejtuesit e rinj të mjeteve. Gjatë vitit të parë të patentës, shoferët do të duhet të kenë tolerancë zero ndaj alkoolit gjatë drejtimit të automjetit. Po ashtu, propozohet kufizim i lëvizjes për shoferët e rinj deri në dy vite eksperiencë. Ata nuk do të lejohen të drejtojnë automjetin nga ora 24:00 deri në 06:00 pa praninë e një personi të rritur që disponon patentë prej të paktën tre vitesh.

Ndryshimet e propozuara nga PS:

Neni 6

Në nenin 127, pika 3.1, bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “shkelur.” hiqet fjalia “I njëjti rregull aplikohet edhe për lejet e drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar në rastin kur kundërvajtësi jep pëlqimin.”

Neni 7

Në nenin 139 bëhen këto ndryshime:

Në pikën 5, pas togfjalëshit “shpejtësi” shtohen fjalët “duke sjellë rrezik serioz për përdoruesit e rrugës, sidomos në zonat urbane, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet jo sociale në rrugë”.

Në pikën 7 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “tërheqëse” hiqen fjalët “të barrës dhe të shalës”.

Në pikën 8 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Masa e gjobës “nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë” bëhet “nga njëzet mijë deri në gjashtëdhjetë mijë lekë”.

2. Para nenit 5 të projektligjit shtohen nenet 9 dhe 10 me këtë përmbajtje, ndërsa neni 5 rinumërohet neni 11:

Neni 9

Titulli i nenit 171 ndryshohet nga “Përdorimi i syzeve optike dhe i aparateve të tjera gjatë drejtimit të mjetit” në “Përdorimi i aparateve telefonike dhe i pajisjeve digjitale të komunikimit, i syzeve optike dhe i pajisjeve të tjera gjatë drejtimit të mjetit”.

Në nenin 171, pas pikës 2 shtohen pikat 2.1 dhe 2.2 me këtë përmbajtje:

“2.1 Ndalohet gjithashtu përdorimi i telefonit celular të mbajtur me dorë gjatë drejtimit të mjeteve të tjera, përfshirë biçikletat, motomjetet deri në 50 cc dhe monopatinat me motor.

2.2 Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit, të cilit gjatë lëshimit ose rinovimit të lejedrejtimit i është vendosur kushti për korrigjimin e të metave organike ose të aftësive të ulëta anatomike a funksionale nëpërmjet syzeve optike ose aparateve të tjera të caktuara, është i detyruar t’i përdorë ato gjatë drejtimit të mjetit.”

Në pikën 4, pas togfjalëshit “neni”, fjalët “tre herë brenda të njëjtit vit” zëvendësohen me fjalët “dy herë brenda të njëjtit vit”.

Neni 10

Në nenin 184, pas pikës 11 shtohet pika 11.1 me këtë përmbajtje:

“11.1 Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat e këtij neni rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjakun e drejtuesit të mjetit dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, në rast përsëritjeje merret masa e heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos