Ditën që i ankohej Erdoganit për zyrat e vogla të Presidencës, Bajram Begaj firmosi edhe një dekret që kthen për rishqyrtim ligjin për Inspektimin. Ndryshe nga praktika e ndjekur më parë, dekreti nuk u njoftua nga zyra e Shtypit dhe u mbajt larg vëmendjes së faqes së parë online të institucionit.
10 Tetori ishte një datë e rëndësishme në agjendën e Presidentit Begaj, teksa priti në takim zyrtar homologun turk, me të cilin qau edhe hallin e ambienteve të ngushta të institucionit.
Në të njëjtën datë, kreu i Shtetit kishte firmosur edhe një dekret për kthimin në Kuvend të ligjit për inspektimin, por zyra e tij e shtypit nuk e kishte parë të arsyeshme ta njoftonte aktin. Ndryshe nga sa ndodh zakonisht, dekreti me firmën e Begajt u mbajt larg faqes së parë të prezencës online të institucionit. Për ta gjetur duhej të kërkoje në seksionin e dedikuar, ku për më tepër mungonte relacioni me arsyetimin e Presidentit, transmeton A2.
Argumentet e Begajt gjenden në faqen e Kuvendit, ku lexohet se Presidenti shpreh pakënaqësi për efektin domino që ka shkaktuar ky akt i miratuar nga socialistët. Sipas tij, me një ligj të vetëm, janë prekur 68 të tjerë të cilat nuk kanë parashikuar të përshtaten me normën e re për inspektimet në Republikën e Shqipërisë.
“Ndryshimi i 68 ligjeve nuk i është nënshkruar procedurës së rregullt që parashikon Rregullorja e Kuvendit për pranimin e nismave ligjbërëse dhe shqyrtimin e projektligjeve. Për këto 68 ligje nuk ka nismë ligjbërëse formale, nuk ka regjistrim të projektligjeve në programin e punës së Kuvendit, nuk ka konsultim publik, nuk ka procedurë të veçantë shqyrtimi, nuk ka mendim të shprehur nga ekzekutivi për secilin prej ligjeve, nuk ka analizë të kostos financiare”, argumenton presidenti, raporton A2.
Presidenti gjykon se ligji i ri krijon një bashkim mekanik, që sjell konfuzion në zbatimin e tij në praktikë.
“Bashkimi mekanik i disa ligjeve me natyra dhe objekt të ndryshëm në një ligj të vetëm shkakton potencialisht konfuzion, mbjell paqartësi, sjell pasiguri, komplikon dhe vështirëson zbatueshmërinë e ligjit. Të gjitha këto elemente, janë objekt i pashmangshëm vlerësimi në procedurën e kontrollit të kushtetutshmërisë që kryen Presidenti i Republikës, sepse kanë lidhje me parimin e shtetit ligjor, i cili është parim bazë i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, vijon presidenti, shkruan A2.
Vendimi i Presidentit për të dalë kundër vullnetit të mazhorancës, u zbulua vetëm kur dokumenti u publikua nga Kuvendi. (A2 Televizion)