Samiti për Procesin e Berlinit përmbyllet me sukses të plotë. Udhëheqësit politikë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, në 10-vjetorin e nismës së shtetit gjerman, nënshkruan marrëveshje për përmirësimin e aksesit në arsimin e lartë dhe një deklaratë për një plan veprimi për tregun e përbashkët rajonal, shkruan A2 CNN.
Përveç kryeministrave dhe përfaqësuesve nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Kosova, të pranishëm në këtë event ishin dhe përfaqësues nga vendet e Bashkimit Europian, përfshirë presidenten e komisionit, Ursula von der Leyen.
Që nga viti 2014, samitet e Procesit të Berlinit kanë funksionuar si një platformë për të përmirësuar bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet e tyre me BE-në. Pikërisht në këtë drejtim u orientua dhe ky samit, me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, që përgëzoi Kosovën që i hapi rrugën mallrave serbe dhe si rrjedhojë mundësoi CEFTA-n. (A2 Televizion)