Protesta e 10 shkurtit, Berisha: Strategjia jonë është betejë deri në rrëzimin e Ramës

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2026, 13:33 | Politikë

Protesta e 10 shkurtit, Berisha: Strategjia jonë është

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një strategji të fortë dhe të vazhdueshme protestash kundër qeverisë, duke deklaruar se opozita do të vijojë “betejën deri në rrëzimin e Edi Ramës”.

Në një konferencë me gazetarët, Berisha u shpreh se kryeministri ka humbur çdo formë legjitimiteti dhe se qytetarët janë gjithnjë e më të vendosur për t’u përballur me atë që ai e cilëson si një pushtet të paligjshëm.

“Strategjia e PD është absolutisht betejë gjer në rrëzimin e Edi Ramës. Edi Rama nuk ka më legjitimitet,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, opozita po sheh një rritje të madhe të mbështetjes qytetare, ndërsa zemërimi ndaj qeverisë po thellohet çdo ditë.

“Për çdo qytetar, ne shohim një zgjerim të madh të mirëkuptimit dhe jemi shumë të inkurajuar, shumë mirënjohës ndaj qytetarëve. Sepse që një qytetar të zemërohet ndaj pushtetit të vendit të tij, duhet të ketë motive të forta. Dhe qytetarët e kanë kuptuar se kanë motivet më të fuqishme që mund të ekzistojnë,” tha ai.

Berisha renditi dy arsye kryesore që, sipas tij, e delegjitimojnë plotësisht qeverinë: manipulimin e zgjedhjeve dhe korrupsionin masiv.

“Qeveria nuk ka legjitimitet. Ka shndërruar zgjedhjet në farsë. Motivi i dytë, qeveria ka vjedhur qindra dhe miliarda euro dhe jo vetëm që nuk do të ndjejë përgjegjësinë, por bllokon drejtësinë,” u shpreh Berisha.

Ai theksoi se këta janë “dy faktorë madhorë që delegjitimojnë çdo pushtet”, duke nënvizuar se shqiptarët janë të vendosur të përballen me qeverinë aktuale.

“Shqiptarët janë të vendosur një minutë e më parë, me çdo çmim, të ndahen nga një pushtet i paligjshëm si ky që është sot,” përfundoi Berisha.

Protesta e radhës e opozitës pritet të zhvillohet më 10 shkurt, ndërsa sinjalet janë për një përshkallëzim të aksionit politik dhe protesta të vazhdueshme në ditët në vijim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos