Bllokimi i reformës zgjedhore, OSBE e shqetësuar: Rifilloni punën, ligji ka probleme

Nga Ervin Koçi
5 Shkurt 2026, 15:07 | Politikë

OSBE i bën apel partive politike parlamentare që të rifillojnë punën në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Bllokimi i këtij organizmi parlamentar dhe djegia e afateve të përcaktuara në kalendarin e punimeve janë mbajtur shënim nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë, ku gjatë një aktiviteti me të rinjtë në kuadër të Ditës Botërore të Zgjedhjeve, ambasadori Tarran shfrytëzoi rastin për t’u rikujtuar aktorëve rëndësinë e këtij procesi.

“Inkurajojmë punën e komisionit ad hoc, Komisionit për Reformën Zgjedhore, që shpresojmë të rifillojë punën sa më shpejt, sepse puna e tij është tejet e rëndësishme. Ka disa probleme që lidhen me ligjin e zgjedhjeve, i cili sipas nesh nuk është siç duhet të jetë, dhe ky është një rekomandim që bëhet çdo herë nga misioni i ODIHR”, tha Tarran.

Shkak i bllokimit të komisionit është bërë konflikti ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, por për ambasadorin, rekomandimet e ODIHR duhet të prevalojnë mbi ndasitë politike, shkruan A2 CNN.

“Këtë herë kam përshtypjen që mesazhin e ODIHR e kanë dëgjuar. Duket që parti të ndryshme politike – sigurisht nuk hyjmë në debatin politik pasi nuk është roli ynë – por të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlament janë dakord që kjo reformë është e nevojshme dhe ne do të ndihmojmë për ta përmirësuar”.

Sipas afateve të miratuara në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, deri në muajin shkurt duhet të trajtohen çështjet që lidhen me regjistrimin e partive, zonat zgjedhore, numrin e mandateve dhe ndryshimet e nevojshme për votimin nga jashtë vendit, por zyrtarisht ende asnjë amendament nuk është hedhur në letër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos