Gazetari Bledian Koka është shprehur në studion e emisionit ‘Off the Record’ në A2 CNN se qeveria e Partisë Socialiste është kërcënuesi më i madh i sigurisë kombëtare.
Koka tregoi detaje nga dosja e SPAK për AKSHI-n, teksa tha se biznesmeni Geron Meçe u mor peng pasi prishi marrëdhëniet me baxhanakun e kryeministrit Edi Rama.
Ai shtoi gjithashtu se personi i shpallur në kërkim dhe që ndodhet në arrati, Ermal Beqiri, ka disa nga akseset më të rëndësishme të sigurisë kombëtare, që e lidhin Shqipërinë direkt me NATO-n.
Sipas Kokës, kjo dosje tregon se mafja është futur brenda shtetit, teksa shtoi se sistemi për nxjerrjen e certifikatave në E Albania nuk punon.
“U njohëm me një dosje të një niveli tjetër të përfshirjes së krimit dhe shtetit. Ajo që kemi parë sot me dosjen e Ergys Agasit, është që mafja është e inkorporuar brenda në shtet dhe tek mafia raporton shteti. Videot e siguruara tashme nga SPAK, tregojnë sesi drejtoresha e Agjencisë raportonte më shumë te Ergys Agasi sesa te Rama.
Ajo ka qenë drejtoresha e AKSHI-t. Sot pjesa e E Albanias që merret me dhënien e certifikatave nuk punon, ka rënë. Sot njeriu që është nën arrati, Ermal Beqiri, ka disa nga tenderat dhe disa nga akseset më të rëndësishme të sigurisë kombëtare që kanë të bëjnë me shërbime që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe që e lidh Shqipërisë direkt me NATO-n.
Ai tjetri tani, që e denoncoi jo Sali Berisha, por ish-zv.kryeministri i Shqipërisë që tha se Rama ka emëruar një person që ka lidhjet mes kryeministrit dhe botës së krimit. Tani na del që ky njeriu, bashkë me zv.drejtorin e Policisë së Tiranës vendosin të marrin peng një biznesmen i cili i nxirrte të gjitha këto tenderat dhe i çonte në KPK ose i ankimonte për shkak të shkeljes së procedurave. Dhe kur u bë i rrezikshëm ky Geron Meçe? Ai eci shumë vitet e fundit sepse kishte ortakëri me baxhanakun e Ramës.
Derisa ishte në bashkëpunim me baxhanakun e Ramës, ai ishte i suksesshëm dhe ecte. Në një moment ai ndahet nga baxhanaku i Ramës dhe lidhet me kompaninë e Ermal Beqirit”, tha mes të tjerash Koka. (A2 Televizion)