Raporti i auditimit të pavarur për shpenzimet e fushatës elektorale e nxjerr Partinë Socialiste brenda kufijve ligjorë. Sipas dokumentit të depozituar në KQZ, socialistët kanë deklaruar rreth 180 milionë lekë të ardhura dhe afro 169.6 milionë lekë shpenzime, duke rezultuar me suficit, ndonëse procesi vijon të shoqërohet me kritika politike nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Auditimi i shpenzimeve të fushatës elektorale e ka nxjerrë Partinë Socialiste brenda kornizave ligjore. Dokumenti në fjalë tregon se socialistët kanë pasur një suficit financiar, duke deklaruar të ardhura totale në vlerën e rreth 180 milionë lekëve. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve, rreth 103.7 milionë lekë, vijnë nga burimet e veta të partisë, ndërsa financimi publik zë një peshë prej 65.2 milionë lekësh, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga donacione private.
“Sipas opinionit tonë, raporti financiar i zgjedhjeve të 11 majit 2025, informacioni i dërguar dhe pasqyrat financiare paraqesin në mënyrë të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, situatën financiare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, në përputhje me Standardet Kombëtare të Kontabilitetit në Shqipëri.”
Këto fonde duket se i kanë mjaftuar socialistëve, pasi shpenzimet e deklaruara kapin shifrën e 169,574,703 lekëve. Zëri kryesor i shpenzimeve mbeten aktivitetet e fushatës dhe mitingjet, me rreth 68.4 milionë lekë, të ndjekura nga investimet në media dhe media sociale, me rreth 66 milionë lekë, për të cilat auditi thekson se nuk përmbajnë anomali, shkruan A2 CNN.
“Nuk përmbajnë anomali materiale, qofshin ato për shkak të mashtrimit apo të pasaktësive, dhe për këtë arsye lëshohet një raport auditimi me opinion pozitiv.”
Ndonëse raporti i auditimit i certifikon shpenzimet e Partisë Socialiste në fushatë si të rregullta, kritikat në aspektin politik nuk kanë munguar. OSBE/ODIHR, në raportin përfundimtar të monitorimit të zgjedhjeve parlamentare, nuk i ka kursyer kritikat lidhur me njësimin e partisë në pushtet me strukturat shtetërore. (A2 Televizion)