“Rama ka sfiduar edhe ndërkombëtarë”! Berisha: Alternativa e opozitës është vetëm sulmi ndaj kësaj qeverie!

Nga A2 CNN
27 Prill 2026, 19:00 | Politikë

“Rama ka sfiduar edhe ndërkombëtarë”! Berisha:

Sali Berisha ka deklaruar se alternativa e opozitës ndaj qeverisë aktuale është vetëm sulmi i vazhdueshëm deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë fjalës së tij me kryetarët e degëve të PD, kreu demokrat tha se Rama ka sfiduar jo vetëm Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por edhe partnerët ndërkombëtarë.

“Edi Rama nuk sfidoi vetëm Kushtetutën e Shqipërisë. Nuk sfidoi vetëm ligjet e tjera të vendit, protestat e thirrjet e fuqishme të opozitës, por ai sfidoi haptas për të shpëtuar lëkurën e tij, edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët me deklarata publike, i bënë të qartë se bllokimi i funksionit të prokurorisë dhe drejtësisë, bllokimi i luftës kundër korrupsionit, janë të papajtueshme me standardet e BE. Por edhe njëherë, një njeri që ka lëkurën e vet në rrezik nuk njeh ligj, standard përveç interesit të lëkurës së tij”, u shpreh Berisha, shkruan A2 CNN.

Ai theksoi se situata aktuale është e rrezikshme dhe se opozita do të vazhdojë betejën politike deri në largimin e qeverisë.

“Situata është edhe më e rrezikshme. Në këto rrethana, çdo njeri duhet të pyesë veten, cila është alternativa e opozitës? Alternativa e opozitës është vetëm sulmi ndaj kësaj qeverie. Edhe e vërtetë, koka e shtrirë vetëm pritet. Ta ketë të qartë çdo qytetar. Përkundrazi, ne nuk do shtrijmë kokën kurrë. Ne do ngrihemi gjer në largimin e tij. Do ishte katastrofa më e madhe kombëtare sikur ne të pranonim si akt të kryer këtë akt të paprecedent të Edi Ramës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos