Rikthimi i Vjosa Osmanit në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës si bartëse nuk ka lumturuar të gjithë. Ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe ish-nënkryetarja Hykmete Bajrami nuk morën pjesë në tubimin e së dielës që u konsiderua si i bashkimit, shkruan A2 CNN. Aty mungoi edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama që së fundi ka pasur dallime në qëndrime me kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku.
Hoti dhe Bajrami gjithashtu bojkotuan mbledhjen e kryesisë dhe këshillit të partisë kur u mor vendimi për t’i hapur derën ish-presidentes. Të dy këto figura të rëndësishme të LDK-së, shihen si pjesë e një grupi me ndikim brenda partisë që nuk janë pajtuar me këtë lëvizje të Abdixhikut.
“Po vërehet që bashkimi ndërmjet këtyre dy liderëve politikë po prodhon përçarje të brendshme [në LDK]. Sa do të jenë serioze tash këto çarje mbetet të shihet, por të paktën po dëshmohet që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është unike dhe pikërisht ajo strukturë politike e cila ka qenë më konsekuente dhe më besnike ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mospajtime të thella lidhur me këtë hap që u bë”, thotë Afrim Kasolli, njohës i çështjeve politike.
Sipas njohësve, ky grup ende e fajëson ish-presidenten Osmani për rënien e madhe të LDK-së në vitin 2021. Ata gjithashtu e shohin Osmanin si pjesë të pushtetit të Albin Kurtit për të cilin ka akuza se e ka dëmtuar Kosovën gjatë udhëheqjes së tij.
“Nëse Vjosa Osmani sot në masë të madhe i mshon idesë se pushteti i Albin Kurtit është ai i cili e ka izoluar Kosovën dhe ka qasje jo afirmative, jo miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne këtu nuk duhet të harrojmë faktin se ishte po ashtu edhe Vjosa Osmani e cila kishte kontribuar në krijimin e kësaj klime politike”, thotë Kasolli.
LDK do të garojë me 110 kandidatë për deputetë më 7 qershor. Osmani do të ketë 20 vende në këtë listë, ndërsa vetë do të jetë numër 1.
Këshilli i partisë e nominoi atë për presidente, ndërsa Abdixhikun si kandidat për kryeministër. (A2 Televizion)