Gazetari Roland Qafoku, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se Partia Demokratike ka probleme të mëdha dhe nëse, sipas tij, kjo parti nuk i kupton problemet, “skandalet do vazhdojnë të thellohen”.
“Problemi është qeveria, por kur një forcë politike që është në opozitë, nuk kthehet në alternativë, që do të thotë se ti funksionon ndryshe nga qeverisja, si mund të rregullohet kjo? Njerëzit e dinë tashmë se si është kjo mazhorancë. Problemi është që kush është alternativa? Alternativa është gjithmonë opozita dhe lokomotiva e opozitës është PD-ja, por kjo parti nuk është aty ku duhet”, tha Qafoku.
“Sot ne jemi përballë një mungese të madhe alternative të PD-së, që t’i tregojë popullit që funksionon ndryshe. Nëse nuk kuptohet kjo, kështu do të vazhdojë kjo punë. Vazhdojnë thellohen skandalet”, shtoi Qafoku.
Gazetari shtoi se PD-ja ende nuk ka bërë analizën e 11 majit, por nga ana tjetër “çohet në mëngjes dhe thotë “të ikë Rama sepse ka shumë skandale”.
“Jo, skandalet akoma do të thellohen sepse kështu funksionon. 13 vjet, edhe drejtor komunaleje të jetë dikush, çmendet”, tha Qafoku.
(A2 Televizion)