Sekretet e dosjes së Ballukut në Kuvend, Peleshi përplaset me Gazment Bardhin

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2025, 15:44 | Politikë

Sekretet e dosjes së Ballukut në Kuvend, Peleshi përplaset me

Shpërndarja e dokumenteve të ardhura nga SPAK për anëtarët e Këshillit të Imunitetit në Kuvendin e Shqipërisë ka përplasur kryetarin e institucionit, Niko Peleshi, me kreun e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

Peleshi tha përmes një njoftimi se nuk i ka shpërndarë të gjithë dokumentet, pasi materialet sekrete ndodhen në kasafortë dhe shpërndarja e tyre do të diskutohet në mbledhjen e të premtes.

“Administrata e Kuvendit (Sekretaria e Këshillit) u vuri në dispozicion anëtarëve të këtij Këshilli aktet procedurale përkatëse, si edhe kërkesën dhe urdhrin e prokurorit për ruajtjen e sekretit hetimor, me detyrimin e shprehur që këto dokumente të mos bëhen publike. Materiali me karakter “sekret hetimor”, në zbatim të Urdhrit të Prokurorisë së Posaçme, datë 16.12.2025, “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, i nxjerrë në mbështetje të neneve 103, 104 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 295/a të Kodit Penal, mbart detyrimin e Kuvendit për zbatimin e këtij urdhri në ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit ose shpërndarjes së akteve të tilla. Materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Deputetët gjithashtu kujtohen të ruajnë sekretin hetimor. Ndërkohë në një konferencë për mediat të mërkurën, kreu i PD, Sali Berisha, publikoi pjesë nga bisedat mes ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku dhe vartësit e saj, drejtorit të ARRSH, Ervis Berberi.

Pas këtij njoftimi të Kuvendit reagoi Gazment Bardhi. “Niko e ke gabim! Nuk e mbyll më dot në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës! Është sheshit, në çdo punë publike! SPAK, sipas ligjit, ka detyrimin të sjellë në Kuvend relacionin, shoqëruar me provat mbështetëse. Këto nuk i sjellë për ti mbyllur në kasafortën e Protokollit të Kuvendit, por për t’ia vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe deputetes së marrë të pandehur, që të jenë të përgatitur për vendimmarrjen në mbledhje. Për të zbatuar ligjin s’ka nevojë të pyesësh as SPAK as Edi Ramën! Vendosi në dispozicion deputetëve materialin e plotë, përfshirë provat shoqëruese të relacionit dhe urdhrin e prokurorit të datës 16.12.2025”, tha Bardhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos