Përkujtohen 4 viktimat e protestës së 21 janarit, Rama mungon në homazhe

Nga A2 CNN
21 Janar 2025, 11:37 | Politikë

Sot shënohet 14 vjetori i protestës së 21 janarit, ku 4 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën gjatë një tubimi të dhunshëm të opozitës së atëhershme përpara selisë së kryeministrisë.

Përfaqësues të mazhorancës dhe familjarë të viktimave ashtu edhe si çdo vit përkujtuan këtë ngjarje të dhimbshme duke vendosur kurora me lule ku ranë 4 viktima, tashmë të shpallur dëshmorë të atdheut.

Në ceremoni mungoi kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në forumin ekonomik të Davosit.

Përmes një postimi në shkurtër në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka përkujtuar protestën e dhunshme të 21 janarit 2011, gjatë së cilës u vranë 4 protestues dhe u plagosën disa të tjerë.

Kreu i qeverisë, shkruan krah fotos së publikuar se ata që po vonojnë drejtësinë për 21 janarin nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër.

“Drejtësia vonon po nuk harron”, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë”, shkruan Rama.

Më 21 janar 2011, në Tiranë ndodhi një protestë masive e organizuar nga opozita e atëhershme, Partia Socialiste, kundër qeverisë së kryeministrit Sali Berisha. Protesta u zhvillua përpara Kryeministrisë dhe kishte për qëllim të shprehte pakënaqësinë ndaj akuzave për korrupsion dhe keqqeverisje, që kishin dalë në pah pas publikimit të një videoje ku zëvendëskryeministri Ilir Meta diskutohej për afera korruptive.

Protesta degjeneroi në dhunë kur disa prej protestuesve tentuan të hyjnë në godinën e Kryeministrisë. Policia dhe forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, ujë me presion dhe armë zjarri për të shpërndarë turmën. Nga këto përplasje humbën jetën katër qytetarë të paarmatosur: Aleks Nikaj, Faik Myrtaj, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Dhjetëra të tjerë u plagosën, përfshirë protestues, policë dhe kalimtarë të rastit.

Ngjarja e 21 janarit 2011 tronditi opinionin publik shqiptar dhe shkaktoi një debat të ashpër politik në vend. Familjet e viktimave dhe opozita kërkuan drejtësi për vrasjet, duke akuzuar qeverinë dhe forcat e sigurisë për përdorim të pajustifikueshëm të dhunës. Ngjarja mbetet ende një pikë e ndjeshme në historinë e politikës shqiptare dhe një simbol i kërkesës për drejtësi dhe llogaridhënie në Shqipëri.

“21 janari” është zyrtarisht një çështje që po hetohet nga SPAK. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar një hetim penal për vrasjen e Aleks Nikës, si edhe plagosjen e Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papës gjatë protestës së dhunshme të vitit 2011 para kryeministrisë.

Çështja u regjistrua nga SPAK në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë të marsit të këtij viti, që urdhëronte Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos