Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka komentuar ditën e sotme në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetarin Pandi Gjata në A2 CNN, përplasjet e Partisë Demokratike me eurodeputeten Marta Kos.
Shehi tha se opozita duhet të kuptojë se ndërkombëtarët nuk na kanë asgjë borxh, pasi sipas tij, me raportin e OSBE/ODIHR ata e thanë fjalën e tyre për zgjedhjet e 11 majit, shkruan A2 CNN.
Ai shtoi gjithashtu se gjithmonë ndërkombëtarët në përplasjet mes qeverisë dhe opozitës, e kanë mbajtur një sy mbyllur për qeverinë.
“Konfrontimi i vazhdueshëm i grupit opozitar me institucionet ndërkombëtare, shpesh herë edhe me botën e huaj, opozita vetë duhet ta kuptojë që nuk na kanë gjë borxh ndërkombëtarët. E dyta që ndërkombëtarët nuk mund të zgjidhin hallet e brendshme të PD-së.
E treta që ndërkombëtarët gjithsesi në raportin mes qeverisë dhe opozitës do ta mbyllin gjithmonë një sy në raport me qeverinë. Se kështu ka ndodhur përherë. Dhe kjo është historia e negociatave. Nuk është se ndërkombëtarët nuk kanë ndonjë inat me opozitën. Po t’i shikosh ato raportet e tyre, atë që bëri OSBE, janë të gjitha kritikat atje brenda. Por nuk është detyra e asaj Kos, ajo ka një linjë tjetër, është për kapitujt e integrimit.
Ata që duhet ta mbanin qëndrimin, e mbajtën. Bënë një raport shumë të rreptë në krahasim me herët e tjera. Nuk po them se ja kanë vënë gishtin të gjitha gjërave, pasi ka edhe përtej saj. Për çfarë do vijë Brukseli këtu? T’i thotë t’i je narkoshteti kryeministrit të vendit? Kjo nuk ndodh. Ça presin këto, të vijë Brukseli në Tiranë dhe të shajë me libër shtëpie Edi Ramën?”, tha mes të tjerash Shehi. (A2 Televizion)
