Është prezantuar të premten, pas betimit në Presidencë, ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Në fjalën e tij ai falënderoi Belinda Ballukun për mbështetjen dhe tha se e ka të qartë detyrën e tij.
“Jam shumë i qartë për sa i përket vizionit, qasjes, objektivat dhe për çfarë kërkohet nga kryeministri por edhe nga qytetarët, prej Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Jam i bindur që do t’ia dalim të çojmë përpara sfidat”, tha Karakaçi, përcjell A2 CNN.
“Dua ta përmbyll me një falënderim për kryeministrin i cili më ka besuar për këtë detyrë dhe një falënderim i veçantë për ju, zonja zv.kryeminsitre, për gjithë rrugëtimin që kemi bërë bashkë, për mbështetjen tuaj gjatë rrugëtimit tim, ka qenë der i veçantë dhe kam bashkëpunuar me ju”.
Gjatë dorëzimit të stafetës, Balluku vlerësoi Karakaçin për punën që ka bërë në disa pozicione që ka mbuluar. “Në krahun tim unë sot kam ministrin e ri, që sapo ka nisur një rrugëtim shumë të rëndësishëm. Dua të them dy fjalë për Enean, pasi kam dëgjuar 3-4 ditët e fundit, ashtu siç kam dëgjuar muajit e fundit të pavërteta, gjysmë të vërteta, edhe gënjeshtra. Enea Karakaçin e kam njohur në këtë ministri, e kam gjetur këtu në dhjetor të vitit 2018 edhe pavarësisht se kishim punuar edhe më parë bashkë, për shkak të detyrës sime të mëparshme si drejtuese e Navigimit Ajror Shqiptar”, tha Balluku.
“Enea është rritur në këtë ministri, ka kaluar nivele të ndryshme, duke u kthyer kështu në një provë të gjallë të zhvillimit të aseteve të administratës publike, dhe se si vizioni i Edi Ramës sot ka arritur aty ku duhet të arrijë një administratë europiane për të nxjerrë drejtuesit politik, siç janë ministrat, nga vet radhët e kësaj administrate”. (A2 Televizion)