Rama me kabinet të ri, betohen te Begaj, marrin detyrën zv/kryeministrja dhe 6 ministrat

Nga Fjorela Beleshi
6 Mars 2026, 15:16 | Politikë

Pesë muaj nga formimi i qeverisë në mandatin e katërt, Edi Rama ndryshoi pothuajse gjysmën e kabinetit të tij,  me 6 ministra dhe zv/kryeministren e re.

Pasi morën votën e mazhorancës në parlament, anëtarët e qeverisë u betuan mbi Kushtetutë para Kreut të Shtetit në Pallatin e Brigadave për të marrë zyrtarisht detyrën e vendosur nga Kryeministri Rama.

Menjëherë pas betimit, zv/kryeministrja Koçiu dhe 6 ministrat e rinj mbërritën në kryeministri për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të qeverisë. Ministri i Jashtëm, ai i Mbrojtjes, i infrastrukturës dhe ministri i Shtetit për marrëdhënien me parlamentin u ulën për herë të parë në karriget e ministrit, ndërsa Ministri i Drejtësisë, i Brendshmi dhe zv/kryeministri thjesht kanë ndryshuar pozicionet dhe dikasteret.

Në përfundim të mbledhjes me dyer të mbyllura prej 80 minuta në drejtimin e kryeministrit Rama, ministrat e rinj u zotuan në rrjete sociale që do të punojnë në shërbim të vendit dhe të qytetarëve në detyrat e sapo marra.

“Për dikë që ka shërbyer me devotshmëri për më shumë se tre dekada e gjysmë si nëpunës publik dhe si anëtar i Shërbimit të Jashtëm, nuk ka nder më të madh sesa ngjitja në përgjegjësinë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, në një moment kaq të rëndësishëm për vendin tonë. Së bashku me kolegët e mi në Shërbimin e Jashtëm, do të vazhdojmë të punojmë për të përmbushur me dinjitet misionin tonë në shërbim të Republikës së Shqipërisë, në zemër të të cilit qëndron pakthyeshëm procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha Ferit Hoxha, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Shtatë ndryshimet në qeveri u lajmëruan nga kryeministri Rama në mbledhjen e grupit me dyer të mbyllura me 26 shkurt, disa ditë pasi Gjykata Kushtetues la në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut nga postet qeveritare me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO. 

Shefi i qeverisë nuk ka dhënë asnjë shpjegim publik për shkarkimet dhe emërimet e reja, përveç për Ballukun, për të cilën ai mendon që po të kishte qenë në rrethanë të tjera nuk do të ndodhte largimi i saj nga qeveria. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos