“Po grabiten pensionet!”, Rama me bizneset: Problem i madh mosdeklarimi i pagës reale

Nga A2 CNN
22 Tetor 2024, 11:24 | Politikë

“Po grabiten pensionet!”, Rama me bizneset: Problem i madh

Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me bizneset për rëndësinë e deklarimit real të pagave që reflektohet më pas në skemën pensioneve, deklaroi se kompanitë që nuk paguajnë sigurimet shoqërore po grabisin pensionet.

“Ne kemi detyrimin si qeveri të bëjmë çmos që jeta e pensionistëve të jetë sa më e qetë, që kushtet e jetës së tyre të përmirësohen sa të jetë e mundur dhe që sipërmarrjet që krijojnë punë dhe paguajnë për punën kanë detyrimin që çdo qindarkë e çdo pagese që i takon pensionistëve, t’u shkojë pensionistëve. Ndërkohë që në sektorin publik ky detyrim është i përmbushur, nuk ndodh e njëjta gjë në sektorin privat. Kemi një problem të madh, pavarësisht përmirësimeve që janë bërë, me deklarimin e pagës reale. Ne jemi shumë të vendosur që ta adresojmë këtë problem dhe të mos presim përmirësim gradual, por të kërkojmë përmirësim të shpejtë. Besojmë që kompanitë nuk do të jetë nevoja të vihen nën presionin e masave të rënda administrative dhe me gjasë edhe penale për grabitjen e pensioneve”, tha Rama.

“Grabitje është fjalë shumë e rëndë, është turp shumë i madh dhe është një sjellje që e gjen në shumë biznese. Duam të përcjellim përmes jush dhe ekranit te çdo sipërmarrje një apel dhe ftesë për të krijuar një front të përbashkët për këtë problem sepse në fund të ditës ato para përsëri, në masën më të madhe rikthehen në konsum dhe gjenerojnë të ardhura të tjera. Është shumë e padrejtë dhe e papranueshme. Ne duhet të bëjmë atë që na takon secili”, shtoi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos