“Po i ngushtohet laku”, Noka: Rama është bërë problem te ndërkombëtarët

Nga A2 CNN
19 Mars 2026, 20:53 | Politikë

Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se kryeministri Edi Rama “është bërë problem te ndërkombëtarët”.

“Ka vetëm një rrugë, largimin e kësaj qeverie dhe gjetjen e një zgjidhjeje politike që të ketë dy prioritete: institucionalizimin e zgjedhjeve të lira dhe të zhbllokojë procesin e integrimit që e ka bllokuar Edi Rama. Opozita ka deklaruar që do të ketë maratonë protestash duke shtuar presionin e brendshëm, nga ana tjetër faktori i jashtëm që po ia ngushton lakun Edi Ramës. Presioni i jashtëm është evident”, tha Noka.

“Ndërkombëtarët shkallë-shkallë po rrisin presionin dhe po i shtrëngojnë lakun. Rama është problem kombëtar për shoqërinë dhe opozitën, por është bërë edhe problemi i vetëm ndërkombëtar. Por, unë jam nga ata politikanë që kam thënë gjithmonë se i zoti e nxjerr gomarin nga balta. Në fund, ndërkombëtarët kanë bërë detyrat e tyre, se kemi dhe shumë raporte të mëparshme, por tashmë është radha jonë. Në këtë aspekt, ne nuk do të ndalemi deri në gjetjen e zgjidhjes politike”, shtoi Noka.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos