“Po mendojmë si të strehojmë të rinjtë”, deputetja e PS debat me Lapajn: Keni shkelur ligjin

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2026, 21:58 | Politikë
 

Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, dhe kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, janë përfshirë në një debat lidhur me kërkesat e protestuesve dhe politikat e strehimit për të rinjtë.

Gjatë përballjes në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Bylykbashi deklaroi se qeveria i ka dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe ka reflektuar përmes politikave të saj, duke përmendur ndryshimet e diskutuara në Parlament për ligjin e strehimit.

Nga ana tjetër, Lapaj kundërshtoi pretendimet e deputetes socialiste, duke argumentuar se ligji për strehimin social nuk është zbatuar. Ai solli në vëmendje detyrimin që 3% e ndërtimeve të kalojnë në dispozicion të bashkive për strehim social dhe kërkoi llogari për apartamentet që, sipas tij, duhej të ishin vënë në dispozicion.

DEBATI

Bylykbashi: Pavarësisht se momenti i uljes në tryezë nuk ka ardhur akoma, i kemi dëgjuar shqetësimet e qytetarëve, i kemi reflektuar në politika qeveritare. Kemi reflektuar në politikën e strehimit. Këto ditë në Parlament është diskutuar për ndryshime në ligjin e strehimit, që adreson një sërë çështjesh të artikuluara nga çiftet e reja, të rinjtë, gjatë protestave.

Lapaj: U fol për strehimin social, unë jam një nga njerëzit që ka punuar për ligjin për strehimin social. Është një ligj i mirë. Një nga nenet thotë që 3 për qind e ndërtimeve që bëhen për tregti, u kalojnë bashkive, për efekt strehimi social. Nga miratimi i ligjit deri më sot janë dhënë mbi 6 milionë leje ndërtimi. Duhet të ishin 180 mijë metra/katrorë për strehim social, 1800 apartamente. Ku janë 1800 apartamente?! Kanë shkelur ligjin.

Bylykbashi: Kjo është e pavërtetë. Nuk i kam shifrat zyrtare, por duhet të jeni të sigurt… Ajo që bën diferencën mes ne të dyve, është që ju mund të thoni çfarë të doni, por unë kam edhe një peshë përgjegjësie nga mbrapa, se jam e votuar nga disa njerëz për të thënë të vërtetën.

Lapaj: Sa vota ke marrë?

Bylykbashi: Kam marrë 10 mijë.

Lapaj: Unë me ekipin tim kam marrë mbi 80 mijë vota.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos