Politologu Afrim Krasniqi ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si po reagon ndaj zhvillimeve politike dhe protestave të të rinjve, duke u shprehur se ka humbur lidhjen me realitetin dhe se shqetësimi kryesor i mazhorancës është sigurimi i një mandati tjetër qeverisës.
Gjatë komentit të tij në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Krasniqi u ndal te mesazhet e Ramës drejtuar deputetëve socialistë, të cilëve u është kërkuar të dalin në terren dhe të takojnë elektoratin e veteranët. Politologu e konsideroi këtë një qasje të shkëputur nga situata aktuale, në një kohë kur studentët dhe të rinjtë vijojnë të protestojnë në rrugë.
“Ata s’kanë kuptuar çfarë po ndodh në Shqipëri! Fjalia e fundit ishte që ju duhet të dilni të merrni masa, të takoni elektoratin, të takoni veteranët. Studentët dhe rinia janë përditë në rrugë dhe ti u thua tako veteranët se ata na mbajnë në pushtet! Shikoni çfarë po ndodh në Tiranë? I keni parë semaforët?! Pse nuk mundet kryeqyteti i Shqipërisë të ndërtojë 10 semaforë?! Ka dy muaj që i mban për fotografi, për t’u thënë njerëzve: Ata! Ata! Ata kanë djegur, ata kanë shkatërruar! Keni parë një zyrtar të lartë që të kërkojë ndjesë për një person që u dhunua dhe u dëmtua?! Kryeministri i mbrojti, s’ka pasur dhunë tha në Shqipëri! E kuptoni që është i vetmi njeri që e ka parë Shqipërinë në TV në tërë botën?! Ky është mentaliteti që ka humbur lidhjen me realitetin”, u shpreh Krasniqi.
Më tej, politologu kritikoi edhe përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të strukturave drejtuese të Partisë Socialiste, duke pretenduar se ato janë të përqendruara te interesat personale dhe mbijetesa politike, ndërsa lënë jashtë vëmendjes shqetësimet e qytetarëve.
“Mblidhen ca njerëz luksoz, gjysma në hetim, gjysma në kërkim, gjysma dëshmitarë për njëri-tjetrin, e ti pret që ata do ta bëjnë Shqipërinë më të mirë?! Ata thjesht po vegjetojnë, dhe frika e tyre është a do ta kapërcejmë situatën që të sigurojmë edhe një mandat. Ky është halli i tyre, jo i Shqipërisë. PS nuk flet për çfarë ka shoqëria dhe qytetarët nevojë, ata nuk flasin për çfarë qytetarët kanë dalë në rrugë, ata flasin çfarë kanë nevojë personale. Ata mbrojnë interesat e grupeve të ndryshme që përbëjnë partinë”, deklaroi Krasniqi.
(A2 Televizion)