“Po mobilizon njerëz dhe po i sjell te Kuvendi”, Bylykbashi: Felaj e tregoi qëllimin e vërtetë të PS, eleminimin politik të Berishës

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2023, 20:44 | Politikë

“Po mobilizon njerëz dhe po i sjell te Kuvendi”, Bylykbashi:

“Sali Berisha mobilizon njerëz dhe po i sjell te Kuvendi”, kjo frazë e thënë nga deputetja socialiste, Erminela Felaj, për opozitën është një tregues i qartë që veprimet ndaj Sali Berishës janë me motivacion politikisht. I ftuar në Debat nga Alba Alishani, deputeti demokrat i rreshtuar krah Berishës, Oerd Bylykbashi tha se mjafton kjo frazë e thënë shumë pastër, për të kuptuar gjithçka. Madje, sipas tij, kjo nuk ishte një gabim i bërë pavetëdije nga Felaj, por e qëllimshme.

“Nuk ishte surprizë, të gjitha veprimet e bëra tregojnë prapavijën politike, dëgjova Felaj që ishte një rrëshqitje e saj, kur dha motivacionin “Sali Berisha mobilizon njerëz dhe po i sjell te Kuvendi”, është ajo që ne kemi mandatuar Berishën në 2 dhjetor, në këtë rast dhe në të gjitha rastet e tjera, jo për rregulloren e Kuvendit, që e kthen parlamentin në një kamp ndëshkimor, që nëse ndëshkohen për 2 muaj nuk kanë të drejtën që të bëjnë takime me zgjedhësit, nuk mund të bëjnë dot mbledhje të grupit të PD, Felaj dha motivacionin, ai që bëri shumicën ishte Alibeaj, bëri mirë që e tha që ta dëgjojnë njerëzit. E kanë të qëllimshme, ajo dha dhe motivacionin e veprimit antikushtetues të SPAK dhe GJKKO, është i njëjti qëndrim politik mes një pushteti dhe mazhorancës në Kuvend”, u shpreh ai.

Për Bylykbashin, mazhoranca është me 2 standarte, duke theksuar se qëllimi final është “nxjerrja jashtë lojës politike” të Berishës.

“Mazhoranca është me dy standarde, për liderin e opozitës që duhet goditur se po udhëheq opozitën me veprime, duhet hequr nga qarkullimi, pra objektivi është si ta nxjerrim Sali Berishën nga loja, jemi përpara një anti-kushtetutshmërie”, përfundoi Bylykbashi.

Këshilli i Mandateve vendosi sot “pro” kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Kërkesa e SPAK u aprovua me 5 votat "pro" të mazhorancës të cilave iu shtua edhe aprovimi i Enkelejd Alibeajt në emër të Partisë Demokratike. 

Kështu, Këshilli i Mandateve vendosi me një votim unanim për zhveshjen e Sali Berishës nga imuniteti që i siguron mandati i deputetetit, për t'u vënë në dispozicion të drejtësisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos