“Po negocioj për fraksionin”, Çollaku: Normalizoj marrëdhëniet me forumet e PD kur të bashkohet baza

Nga Anesti Barjamemaj
5 Shtator 2024, 16:12 | Politikë

Kreshnik Çollaku është gati të normalizojë marrëdhëniet me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike. Në një intervistë për A2 CNN, pohoi se pjesëmarrja e tij në mbledhjet e Grupit Parlamentar apo Këshillit Kombëtar do të varet nga bashkimi i bazës, pas udhëzimit të Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka, i cili “joshi” me kooptime në struktura të gjithë mbështetësit e Lulzim Bashës.

“Qëndrimin tim apo rinormalizimin e marrëdhënieve, qoftë me grupin parlamentar, qoftë edhe forumet e partisë e kam kushtëzuar brenda vetes me ndjekjen dhe monitorimit të unifikimit në degë. Në rast se projekti i djeshëm do të ketë vullnet të sinqertë të zbatohet dhe nuk kam ndonjë element të dyshoj, por sigurisht kërkon monitorim. Atëherë nuk shoh edhe unë personalisht ndonjë pengesë të normalizojë marrëdhëniet me strukturat drejtuese”, tha Çollaku për A2.

Edhe udhëzimet e Sali Berishës në mbledhjen e Kryesisë, që konfirmoi se primaret do të respektohen për listat e deputetëve, duket se po bindin edhe më shumë Çollakun të hedhë hapat e fundit për të kaluar pragun e selisë blu.

“Është një gjë që duhet përshëndetur dhe është një garanci shumë e mirë në fakt, pasi lista e deputetëve nuk do jetë në bazë të llogarive të mbështetësve të njërit lider apo tjetrit, por në bazë të vlerësimit dhe votës të demokratëve, nga i pari tek i fundit”, u shpreh deputeti i PD për A2.

Prej kohës Çollaku ka artikuluar projektin për një fraksion brenda radhëve të demokratëve dhe pranon se ka nisur negociatat me deputetë të tjerë për ta finalizuar.

“Nuk është sekret, mund të them që jam në bisedime me kolegë të mi. Unë jam për bashkim unitar të partisë. Por në rast se bëhen 6 deputetë që kundërshtojnë linjën zyrtare të partisë, unë bëhem firma e 7 për ta regjistruar një fraksion brenda PD”.

Një përgjigje ka për Lulzim Bashën që çdo fraksion në PD e konsideron si fraksion të Ramës. Teksa Enkelejd Alibeaj është duke hedhur hapat e fundit për krijimin e një partie, Çollaku bën thirrje për bashkim të të gjithë zërave opozitarë. “Duhet në mënyrë absolute të bashkohemi, ndryshe po bëjmë vetëvrasje kolektive.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos