Me pankarta në duart të shkruara në anglisht dhe të veshur me bluza me mbishkrimin “Lironi Sali Berishën”, 30 deputetë të Partisë Demokratike zhvilluan një protestë simbolike para godinës së Parlamentit Evropian, shkruan A2 CNN.
Për gati 60 minuta, demokratët qëndruan para godinës së PE me synimin që të sensibilizonin kolegët e tyre evropianë për atë që po ndodh në Shqipëri.
“Kemi një opozitë me liderët kryesor ose në masë arresti ose të burgosur. Kjo është një fushatë e padrejtë, e pabarabartë. Duke përfshirë edhe involvimin e administratës, blerjen e zgjedhjeve, deformimin e rezultateve zgjedhore”, tha deputetja e PD, Dhurata Çupi. “Informimi i ndërkombëtarëve është shumë i pakët, në fakt është disinformim. Ne nuk jemi një shtet demokratik, jemi një shtet autoritar dhe po instalohet një regjim. Ky regjim nuk është instaluar për një ditë, por përgjatë viteve që po qeveris mazhoranca socialiste”, tha Dashnor Sula.
Ndërkohë përfaqësia e demokratëve brenda Parlamentit Evropian kishte zhvilluar takime të rëndësishme, ku eurodeputetët ishin njohur me realitetin shqiptar në detaje. “Janë informuar për situatën politike në Shqipëri, për sulmin e vazhdueshëm kundër opozitës nga mazhoranca socialiste. Burgosjet politike të lidershipit të opozitës. Ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në situatën në vend. PPE mbështesin PD dhe vlerësojnë kontributin e saj në mbështetje të integrimit evropian”, tha Edi Paloka.
Mes eurodeputetëve të takuar nga demokratët ishte dhe Alfred Beleri por takimi më i rëndësishëm duket se ishte ai me David McAllister, Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian.
“Mirëserdhët përsëri në familjen tuaj” ishte mesazhi i mirëseardhjes së tij për përfaqësuesit e grupit parlamentar të PD, duke iu referuar ripranimit të PD-së me të drejta të plota në Partitë popullore Evropiane, shkruan Gazment Bardhi në rrjetet sociale.
Pas kësaj vizite në Strasburg demokratët do të nisin përgatitjet për protestës e së hënës, ku synimi është bllokimi i të gjitha rrugëve kryesore në të gjithë vendin. (A2 Televizion)