“Priteshin antibiotikë, vaj e miell, e këtu vinin suko pjeshke,” Gjokutaj: Si e prangosa Fatos Nanon kur isha prokuror në '93

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2024, 13:01 | Politikë

Prej thuajse një viti kreu i demokratëve Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie ndërsa vetëm dy javë më parë pas hekurave përfundoi presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. 

Në të dyja rastet, arrestimet nga ana e opozitës janë cilësuar si politike ndërsa drejtësia është akuzuar se është e kapur nga partia qeverisëse. 

Mbrojtësi ligjor i dy ish-presidentëve, Genc Gjokutaj u pyet nga Andrea Danglli në "Off the Record" se përse arrestimi i Ilir Metës në rastin konkret mund të cilësohet politik dhe ai i Fatos Nanos në 1993, çështje në të cilën Gjokutaj ka qenë prokuror, ishte i drejtë? 

Avokati argumenton se rasti i Nanos nuk mund të cilësohet si "arrestim politik" pasi çështja u nis nga vetë Italia, e cila ishte edhe donatorja e ndihmave të dhëna në atë kohë. 

"...Dhe, çështja është filluar nga italianët, jo nga ne, se ata ishin donatorët. Ne ishim shteti përfitues. Shteti donator e pa që ndihma nuk shkoi atje ku duhej. Personat përgjegjës u vunë në përgjegjësi penale në Itali. Por, sigurisht që përgjegjësinë më të madhe penale, nuk e ka ai që të siguron ndihmën, por e ka ai që e pranon këtë dhuratë. Ti këtë donacion e kthehen në një vjedhje. Flasim për ’93, që ti nuk merr atë artikullin emergjent për të cilin ke nevojë. Antibiotiku, mjelli, vaji sheqeri. Dhe këtu vinin suko pjeshke."

Gjokutaj thotë se për rastin ka një akt-ekspertimi italian dhe se kush të dojë mund ta aksesojë dosjen për të mësuar më shumë detaje nga pala italiane. 

Një tjetër dallim që avokati bën mes çështjeve është fakti se ish-kryetari i PS-së në atë kohë u arrestua në zyrë, kurse presidenti i PL-së, në mes të rrugës. 

Ai vijoi me akuzat që prej kohësh artikulohen nga opozita se drejtësia e re po godet vetëm në drejtim të tyre dhe se është totalisht e kontrolluar nga pushteti, apo edhe ndonjë aktor tjetër.

"Duhet të kuptoni një gjë, skema e Sorosit në Shqipëri dhe kjo reformë e financiar nga ai ka bërë të mundur arrestimin e dy liderëve të opozitës. Si mund ta pengojë ky SPAK, Kuvendi e të gjithë, se këta janë një?  Berishës nuk ia prekën mandatin, por në cilin vend të botës ti e gëzon mandatin por nuk mund ta prekësh?"

Kujtojmë se Fatos Nano u arrestua më 30 korrik të vitit 1993 me akuzën e abuzimit të ndihmave humanitare që në ato kohë erdhën nga qeveria italiane.

Socialistët, aso kohe në opozitë, e cilësuan arrestimin e liderit të tyre si të motivuar politikisht duke theksuar se Nano në fakt ishte i pafajshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos