“Problem menaxhimi dhe përpunimi i mbetjeve”, Rama njofton ngritjen e Task-Forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor

Nga A2 CNN
3 Prill 2026, 15:52 | Politikë

“Problem menaxhimi dhe përpunimi i mbetjeve”, Rama njofton

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot masa të reja për forcimin e kapaciteteve vendore në përballimin e emergjencave civile dhe përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve. Në mbledhjen me kryebashkiakët socialistë ai theksoi nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes qeverisë dhe pushtetit vendor.

Sipas kreut të qeverisë prioritet i qeverisë mbetet rishikimi i sistemit të mbledhjes së mbeturinave, veçanërisht në zonat jashtë qendrave urbane dhe gjatë sezonit turistik, ku problematika është më e theksuar.

“Një tjetër element që kemi këtu është edhe ngritja e nivelit të emergjencave civile në rrafshin vendor, kështu që në këtë aspekt ministri i Pushtetit Vendor bashkë me ministrin e Mbrojtjes kanë marrë detyrën që të punojnë dhe të bashkëpunojnë me ju për ta fuqizuar kapacitetin vendor në raport me emergjencat civile. Jemi duke punuar edhe për të riparë sistemin e mbledhjes së mbeturinave gjë që e kemi bërë me dije sa i takon aspektin të përpunimit të mbetjeve, por në këtë rast po flas për mbeturinat që janë një problem sidomos në sezonin turistik dhe në hapësirat e bashkive që nuk janë në zona urbane”.

Rama paralajmëroi ngritjen e një task-force të përbashkët mes qeverisë dhe pushtetit vendor, e cila do të hartojë një plan të detajuar afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, duke nisur nga sensibilizimi publik deri te ndërhyrjet konkrete në terren.

“Për këtë aspekt është e domosdoshme që të ngrihet një Task Force me qeverisë dhe pushtetit vendor, gjë për të cilën është ngarkuar ministri i Mjedisit së bashku me ministrin e Pushtetit Vendor për të ndërtuar një plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë nga sensibilizimi masiv deri tek hapat që duhen ndërmarrë”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos