“Rendi dhe siguria në Shqipëri janë në duart e krimit”, pohoi Sali Berisha, teksa premtoi luftë pa kushte ndaj paligjshmërisë për ta ndryshuar situatën në vend. Në një tryezë me ekspertë të fushës së sigurisë dhe ish-zyrtarë të policisë, lideri demokrat pohoi se në Shqipëri ka sipërmarrje të përbashkët mes pushtetit dhe krimit, por premtoi se do godasin çdo grup kriminal, shkruan A2 CNN.
Lideri opozitar pohoi se nga Policia e Shtetit dhe administrata shtetërore do të largohen të gjithë ata që janë të inkriminuar. “I garantoj që nesër, kudo që të jenë, edhe në shpellat më të largëta të këtij planeti, do gjenden dhe do marrin ndëshkimin që meritojnë. Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Por kjo betejë do nisë me krimin qeveritar. Do nisë me ministrat, bashkëpuëntorë të kriminelëve”, tha Berisha.
Mori në mbrojtje të gjithë efektivët e shkarkuar nga detyra në 12 vitet e qeverisjes së Ramës, por edhe të shkarkuarit nga Vettingu, kur pohoi se e drejta e tyre do të vihet në vend me përparësi. “Të gjithë ju, subjekt i padrejtësive të mëdha ligjore që janë bërë, do merrni vendin që meritoni... Gjykatësit dhe prokurorët që u përballën dhëmb për dhëmb me krimin dhe u larguan nga detyra me vetingun gjueti shtrigash, ata që dhanë dënime përjetë për bandat e qeverisë socialiste, ata janë sot jashtë institucioneve si hakmarrje për ta”.
Sipas tij mes pagave të punonjësve në radhët e uniformave blu është krijuar një hendek i madh, ndaj premtoi një balancim të tyre. “Rrogat do rriten progresivisht të të gjithë punonjësve të policisë, veçanërisht të niveleve inspektorit, të komisarit, në mënyrë që të ngushtojmë hendekun që është krijuar edhe në polici mes rrogave të larta dhe rrogave të ulëta”.
Pasi dëgjoi dhe problemet e ish-zyrtarëve të policisë, kreu i opozitës premtoi se do rikthejë shtetin ligjor, që tha se është kushti i të gjitha kushteve për integrimin në BE. (A2 Televizion)