Të drejtat e fëmijëve, BE kërkon garanci, Rama premton më shumë përkujdesje

Nga A2 CNN
9 Prill 2025, 12:18 | Politikë

Të drejtat e fëmijëve, BE kërkon garanci, Rama premton

Të drejtat e fëmijëve janë pjesë e negociatave mes Shqipërisë dhe BE. Në konferencën rajonale për reformat në mbrojtjen e të mitur dhe barazisë para mundësive, ambasadori i BE-së i kërkoi Tiranës zyrtare që reformat që do të ndërmerren në këtë fushë duhet të vihen në zbatim për të shndërruar shoqërinë, sidomos në një moment ku largimi I trurit është ende një problem në rajon.

“Fëmijët të kenë qasje efektive në shëndetësinë falas, qasje në arsimin cilësor dhe të lirë dhe të kenë strehim me dinjitet por edhe ushqimet dhe nutricionin e duhur. Të gjithë fëmijët,  veçanërisht ata që përjetojnë përjashtimin social për shkak të varfërisë apo formave të tjera duhet të kenë shanse të barabarta. Kjo është e rëndësishme për rajoni në veçanti në të cilën ka ende largim të trurit. Procesi i anëtarësimit nuk do të thotë vetëm miratim legjislacioni, por kërkon shndërrimin e të gjithë shoqërisë në të gjithë aspektet e saj. Të drejtat e fëmijëve janë pjesë e grup-kapitullit themelor, ndërsa legjislacioni i BE-së për politikat sociale arsimin mbulohet nga grup-kapitulli 3 i cili shpresojmë se do hapet së shpejti”, u shpreh Gonzato.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se po punohet për të rritur numrin e mësuesve socialë për këtë kategori fëmijësh, ndërsa përmendi gjithashtu edhe hapjen e klasave për fëmijët që ndodhen të shtruar në spital.

"Një nga pikat ky synojmë të bëjmë një hop sasior dhe cilësor në financim dhe organizim dhe ndërveprimit me partnerët e tjerë është adresimi i situatës së 16 mijë fëmijëve me aftësi të veçanta, të cilët janë përfitues të skemave të reja të mbështetjes, por  të cilët besoj unë në këtë fazë dhe kushtet kur mundësitë tona ekonomike rriten meritojnë rritje të mbështetjes nga ana jonë. Një rritje mbështetjeje e cila nuk është thjesht financiare por edhe institucionale. Për këtë ministria e Shëndetësisë dhe Arsimit po punojnë që të rrisin numrin e mësuesve specialë, sikundër dje kemi hapur një kapitull të ri në sistemin tonë të shërbimit shëndetësor me hapjen e klasave të para për fëmijët në spital, klasa mësimore dhe arti, që iu shërbejnë fëmijëve që të mos humbasin kontaktin me mësimin, duke filluar me dhënien e ushqimit në shkolla nga bashkitë qendër qarku shkon përsëri në këtë drejtim, ashtu si kundër edhe projekti që kemi për të mbështetur më shumë akoma, megjithëse kemi vendosur një mbështetje të veçantë për nënat kryefamiljare me tre fëmijë”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos