Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka shqyrtuar 25 ankesa ndaj Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe mbi 2800 të tilla për të gjithë sistemin e drejtësisë. Raporti vjetor i institucionit thotë se për 2024 ka dërguar për hetim disiplinor 25 magjistratë. Shifrat duket se indirekt i japin një përgjigje edhe akuzës së kryeministrit, që disa javë më parë ankohej se kreu i ILD-së nuk ishte aktiv.
“Sa është ora 10? Ku është Inspektorati i Lartë i Drejtësisë? S’është zgjuar ende nga gjumi...”.
Artur Metani zgjodhi t’i përgjigjej akuzës së Edi Ramës me dokumente. Në raportin vjetor të ILD-së, kreu i institucionit flet përmes shifrave, duke shpjeguar se veprimtaria e institucionit ka qenë voluminoze dhe jo e përgjumur.
“Referuar veprimtarisë dhe në funksion të përmbushjes së parashikimeve të mësipërme ligjore, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për vitin 2024, vihet re një numër në rritje ankesash të depozituara, krahasuar me vitin e mëparshëm. Gjatë këtij viti janë depozituar 1491 ankesa të reja”, lexohet në raport.
Qëndrimet e ashpra të Edi Ramës erdhën nën akuzën se SPAK nuk po ndjek standardet në hetimin e veprave penale, e veçanërisht në çështjen e Erion Veliajt. Por, ILD thotë që pjesë e akesave të shqyrtuara kanë qenë edhe magjistratët e posaçëm: “Objekt shqyrtimi për vitin 2024 në total janë 2854 ankesa, duke përfshirë dhe ankesat e depozituara gjatë këtij viti. Nga këto, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë gjatë vitit 2024 ka shqyrtuar 12 ankesa ndaj GJKKO dhe 25 ndaj SPAK. Në përmbushje të parashikimeve ligjore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë pas shqyrtimit të ankesave ka miratuar 970 vendime, nga të cilat 23 vendime për hetim disiplinor ndaj 25 magjistratëve”.
Mes akteve të miratuara gjatë 2024, ILD thotë se i ka propozuar KLGJ shkarkimin e 6 gjyqtarëve, uljen e pagës me 40% për 3 prokurorë, si dhe 2 vërejtje për dy të tjerë. (A2 Televizion)