Dhëndri i Donald Trump është zyrtarisht investitor strategjik në Shqipëri. Në fund të dhjetorit, teksa shqiptarët ishin të fokusuar te festimi i ndërrimit të viteve, Edi Rama firmosi dhënien e statusit strategjik kompanisë së Jared Kushner, në lidhje me projektin për ndërtimin e një resorti turistik në Ishullin e Sazanit.
Vlera e investimit të projektit turistik "Resorti Turistik - Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro. Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpërmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët.
Vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike
Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 562 hektarësh të Ishullit të Sazanit, ku 45 hektarë janë të destinuara për ndërtimin e strukturave akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, marina turistike, zona gastronomike dhe rekreative. Dhe të gjitha këto ndërtime do të bëhen në pjesën perëndimore të ishullit, dhe nga Vlora asgjë nuk do të duket.
Ishulli më i madh i Shqipërisë është pjesë e Parkut Kombëtar Detar “Karaburun-Sazan,” dhe vendimi kërkon që sipërfaqja ujore rreth ishullit të mos cenohet duke përfshirë edhe monumentet e natyrës si ‘Barriera koralore e grykës së Djallit’ dhe ‘Faleza e Sazanit’.
Marrja e statusit investitor strategjik i jep kompanisë disa përfitime dhe përparësi. Vendimi specifikon se kompania do të ketë të drejtën për procedura të përshpejtuara për marrjen e lejeve dhe licencave, përfshirë edhe lehtësira fiskale.
Në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, kompania do të ketë të drejtën të përfitojë nga masat mbështetëse fiskale, të tilla si përjashtimi nga taksat mbi të ardhurat dhe TVSH-ja për mallrat dhe shërbimet e nevojshme për realizimin e projektit.
Vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike
Qeveria synon që nga implementimi i këtij projekti të hapen së paku 1 mijë vende të reja pune dhe të sjellë zhvillim edhe për qytetin e Vlorës. Ndërtimi i këtij resorti duket se është ekskluziv i kompanisë Jared Kushner, pasi vendimi nuk parashikon delegimin e kompetencave te të tretët në mënyrë direkte, por vetëm me aprovim të palës shqiptare.
Çdo transferim i pjesëmarrjeve apo pjesëmarrja e palëve të treta në investim do të jetë i kufizuar dhe do të kërkojë miratim paraprak.
Vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike
Dhënia e këtij statusi është bërë pa shumë bujë nga institucionet shqiptare më 30 dhjetor të vitit 2024, 3 javë përpara inaugurimit të Presidentit Trump, ku kompania e Kushner ka hedhur sytë sa në Beograd e në Tiranë. Duke qenë se ishulli i Sazanit është në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pjesë e planit të përhapjes së ushtrisë, vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike është paraprirë nga një dekret i Presidentit që e ka nxjerrë nga plani i përhapjes së FA këtë zonë. (A2 Televizion)